Një automjet Togg T10X, SUV-i i parë elektrik i prodhuar në Turqi, është përfshirë nga flakët në një stacion karikimi në zonën Melikgazi të Kajserit. Ngjarja ka ndodhur në Kiosk Mahallesi, ku automjeti ishte lënë i parkuar gjatë natës. Në orët e mëngjesit, makina filloi papritur të nxirrte tym dhe vetëm pak sekonda më vonë u përfshi nga flakët.

Momenti i zjarrit është regjistruar nga kamerat e sigurisë së zonës. Në pamje shihet automjeti i parkuar teksa nis të marrë flakë, përpara se zjarri të përhapej në të gjithë makinën. Togg T10X u dëmtua plotësisht nga zjarri, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.

Fakti që automjeti ndodhej në një stacion karikimi ngriti pikëpyetje nëse zjarri mund të kishte lidhje me procesin e karikimit.

Megjithatë, kompania që administron stacionin deklaroi se të dhënat operative tregojnë se karikimi kishte përfunduar më herët dhe në momentin kur shpërtheu zjarri nuk kishte transferim aktiv të energjisë elektrike drejt automjetit. Për rrjedhojë, shkaku i zjarrit mbetet ende i paqartë dhe autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar se çfarë e shkaktoi incidentin. Togg T10X është SUV-i elektrik i kompanisë turke Togg dhe konsiderohet një prej produkteve kryesore të industrisë vendase të automjeteve elektrike në Turqi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb