Tedi Blushi: Sot është ditë historike, çdo deputet do të përballet me votën e tij
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar për zhvillimet në Kuvend, në ditën kur pritet të votohet reforma e re territoriale. Blushi e ka cilësuar seancën plenare si një moment vendimtar dhe u ka bërë thirrje deputetëve që të mos votojnë projektin.
Sipas tij, seanca e sotme ka vetëm një qëllim: ndalimin e miratimit të njëanshëm të asaj që ai e cilëson si projekt për “shpopullimin dhe zhbërjen e Shqipërisë”.
Blushi ka kritikuar edhe masat e sigurisë pranë Kuvendit, duke akuzuar mazhorancën se po përpiqet të krijojë një “normalitet punimesh” ndërsa institucioni është i rrethuar me forca policore.
Ai u bëri thirrje deputetëve që të mos bëhen pjesë e asaj që e cilësoi si “farsë” dhe të përfaqësojnë qytetarët që, sipas tij, janë ngritur në protestë kundër reformës.
“Çdo deputet do të përballet me emrin që shqiptarët dhe historia do t’i japë zgjedhjes së tij: Patriot ose Tradhtar!”, deklaroi Blushi.
Ai e cilësoi ditën si “historike”, duke theksuar se do të mbahet shënim çdo qëndrim dhe çdo votë e deputetëve gjatë procesit të votimit.
“Seanca e sotme plenare ka vetëm një rend dite: Të ndalet miratimi i njëanshëm i projektit për shpopullimin dhe zhbërjen e Shqipërisë.
Çdo përpjekje tinzare për të imponuar “normalitet punimesh” në një Kuvend të rrethuar me blinda dhe narkopolicë dhe të marrë peng nga mafia duhet përbuzur me neveri.
Sot, çdo deputet që e quan veten shqiptar dhe jo shqip-folës ka vetëm një axhendë: Të mos bëhet pjesë e asnjë farse, të mos votojë shpopullimin e Shqipërisë, të përfaqësojë çdo shqiptar të ngritur në revoltë dhe të jetë në lartësinë e përgjegjësisë politike dhe kombëtare që kërkon koha.
Sot është një ditë historike ku do të mbahet shënim çdo qëndrim dhe çdo votë.
Çdo deputet do të përballet me emrin që shqiptarët dhe historia do t’i japë zgjedhjes së tij: Patriot ose Tradhtar!’, shkruan ai.
