Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka cilësuar “të paimagjinueshme” mundësinë e një përshkallëzimi serioz të tensioneve mes Greqisë dhe Turqisë, duke theksuar se të dyja vendet janë aleate dhe partnere të Shteteve të Bashkuara në NATO.

Në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini”, Rubio tha se një konflikt mes Athinës dhe Ankarasë nuk do të ishte në interesin e askujt, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

“Për mua, do të ishte e paimagjinueshme që diçka e tillë të ndodhte. Këta janë dy aleatë dhe partnerë në NATO, kështu që thjesht nuk mund të ndodhë. Nuk do të ishte mirë për askënd – as për Turqinë dhe as për Greqinë, por as për Shtetet e Bashkuara”, u shpreh Rubio.

Ai shtoi se Uashingtoni nuk mund të lejojë që një situatë e tillë të përshkallëzohet dhe shprehu bindjen se një skenar i tillë nuk do të ndodhë.

Rubio u ndal edhe te projekti i ndërlidhjes elektrike GSI, duke pranuar se ekzistojnë disa pengesa që mund të vështirësojnë avancimin e tij.

“Ka disa pengesa të mundshme, disa gjëra që na pengojnë”, tha ai, duke shtuar se SHBA synon të përdorë kanalet diplomatike për t’u kujtuar të gjitha palëve rëndësinë e projektit.

“Shpresoj se mund të gjejmë zgjidhje”, deklaroi Sekretari amerikan i Shtetit.

Rubio theksoi gjithashtu se disa prej çështjeve të ndjeshme nuk zgjidhen përmes deklaratave publike, por përmes kontakteve të drejtpërdrejta diplomatike.

“Disa nga këto çështje padyshim që nuk zgjidhen më mirë përmes medias. Është më mirë ta bëjmë këtë privatisht dhe në heshtje në arenën diplomatike”, tha ai, duke nënvizuar rëndësinë e projektit dhe nevojën për t’i dhënë përparësi angazhimeve të vendeve të përfshira.

Në lidhje me Turqinë dhe mundësinë e një ndërmjetësimi të presidentit amerikan Donald Trump, Rubio tha se Uashingtoni ka investuar në marrëdhëniet me Ankaranë dhe se ky bashkëpunim mund të ndihmojë në diskutimet për çështjet e hapura.

“Marrëdhënia jonë është një marrëdhënie në të cilën kemi investuar dhe ndoshta ky investim do të na ndihmojë në lidhje me këto diskutime”, tha Rubio.

Ai shtoi se SHBA është në kontakt të vazhdueshëm me Turqinë, duke e cilësuar atë një vend të rëndësishëm në NATO dhe duke përmendur rolin e Ankarasë në çështje të tjera ndërkombëtare, përfshirë pritjen e bisedimeve mes Rusisë dhe Ukrainës në të kaluarën.

Deklaratat e Rubio vijnë në një kohë kur çështjet energjetike dhe marrëdhëniet greko-turke mbeten në fokus të diplomacisë amerikane në Mesdheun Lindor.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb