Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti foli në seancën e sotme plenare për draftin e PS për Reformën Territoriale, por gjithashtu komentoi edhe deklaratën e efektivit Uljan Shpataraku për Ergys Agasin, të cilin pretendoi se nuk e njihte.
Me tone ironie, Alizoti tha se fjalët e tij meritojnë një çmim që mund të kalojë edhe Nobelin.
“Dhuna e policisë ndaj njerëzve është e papranueshme. Janë disa policë të veshur me të zeza, pak të maskuar, të cilët kanë qenë vartësit e Ilir Prodës dhe Uljan Shpatarakut, i cili tha se “nuk e mbaja mend, më doli rrugës (Ergys Agasi) dhe e mora me vete”. Kjo jo perlë, fiton çmimin më të madh kalon edhe Nobelin. Por kjo thënia e këtij më ka ngjarë edhe sot në debatet në parlament.
Diskutimi i parlamentit, dhe dëgjova një nga kolegët që tha, se është Pazar. Jo, është çmendinë. Më kujton filozofin gjerman Dietrich Bonhoeffer që ka bërë veprën më të madhe “Teorinë e Idiotit”, dhe thotë se idioti është më i rrezikshëm se i ligu. Idiotësia, sipas tij, nuk është çështje inteligjence por morali dhe thotë se këta gjenden shpesh në politikë dhe janë shumë afër pushtetit.
Ky votim për reformën territoriale është teza, që i rezistoi asaj kohe. Të bësh një reformë për njerëzit, pa pyetur njerëzit, se e do vetëm kryetari i partisë tuaj dhe kryeministrit, i cili me epshin e tij iu ka mundur të gjithëve dhe iu ka futur te teoria politike e filozofike e Dietrich Bonhoeffer, pra ju ka futur tek idiotët. Ju nuk e bëni për mungesë intelekti, por morali. Sepse të gjithë e dini, edhe zoti Sinaj dhe të tjerë, e refuzuan se intelekti thoshte është idiotësi por do të pranojnë idiotësinë se e do pushteti.
Teza e tij brilante pas 70 vjetësh u vërtetua sot në parlamentin e Shqipërisë tek maxhoranca. Edhe fjala e nëndrejtorit të policisë që thoshte “e mora rastësisht, më doli në rrugë, nuk e shoh fare”. Po të keni moral, mos e votoni këtë gjë sot sepse ky kuvend sot merr titullin e çmendurisë”, tha ai.
