Një marinar 24-vjeçar i Marinës Mbretërore Britanike është paraqitur në gjykatë, i akuzuar për përgatitje për spiunazh në favor të Rusisë.
Teddy Young, i cili shërbente si oficer i inteligjencës së luftës, u paraqit të enjten në Gjykatën e Magjistraturës në Westminster, pasi u akuzua sipas Aktit të Sigurisë Kombëtare të vitit 2023.
Sipas akuzave, Young dyshohet se ka ruajtur materiale të mbrojtjes dhe inteligjencës britanike, në të cilat kishte akses për shkak të detyrës së tij, si dhe ka ndërmarrë hapa për të zbuluar informacione të ndjeshme.
BBC raporton se ndër veprimet që po hetohen janë përkthimi i një mesazhi në gjuhën ruse dhe kërkimi i një portali online që u bënte thirrje personave të dërgonin informacione në Rusi.
Young akuzohet për përfshirje në sjellje përgatitore për zbulimin e informacionit të mbrojtur, si dhe për marrjen, kopjimin, regjistrimin ose ruajtjen e këtij informacioni me qëllimin që veprimet t’i shërbenin interesave të një fuqie të huaj.
Akuzat lidhen me një periudhë nga 26 nëntori 2024 deri më 21 maj 2025.
Marinari u arrestua të martën në banesën e tij në Bedfordshire. Policia britanike ka sqaruar se çështja nuk ka lidhje me incidentin e fundit në bazën RAF Fairford, ku shtatë persona u arrestuan dhe më pas u liruan me kusht pas raportimeve për aktivitet të dyshimtë pranë bazës. Ky incident po hetohet nga policia kundër terrorizmit.
Young konsiderohet anëtari i parë i forcave të armatosura britanike që akuzohet sipas Aktit të ri të Sigurisë Kombëtare, të miratuar në vitin 2023.
Komandantja Helen Flanagan, drejtore e Policisë Kundër Terrorizmit në Londër, i cilësoi akuzat si shumë serioze.
“Ne kemi punuar jashtëzakonisht ngushtë me kolegët përkatës operacionalë brenda Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa hetimi ynë ka përparuar për të siguruar që mund të merren masa të përshtatshme për të zbutur çdo rrezik të mundshëm që lidhet me këtë çështje”, deklaroi ajo.
Një zëdhënës i Marinës Mbretërore konfirmoi se një pjesëtar i forcave të armatosura ishte akuzuar, por tha se, për shkak të procedurave ligjore në vijim, nuk ishte e përshtatshme të jepeshin komente të tjera.
Gjykatësja Annabel Pilling vendosi që Young të mbahet në paraburgim. Ai pritet të dalë sërish para gjykatës, këtë herë në Old Bailey, më 16 tetor.
