Tre politikanë të njohur ukrainas kanë bërë thirrje që lufta të përfundojë përmes negociatave me Rusinë. Mes tyre është deputeti Oleksij Honçarenko nga partia “Solidariteti Evropian”. Ai deklaroi në rrjetet sociale: “Realiteti aktual është ky: ne po e humbasim luftën. Po humbasim njerëz të shumtë. Nuk kemi para të mjaftueshme jo vetëm për të financuar luftën, por as për ta mbajtur vendin në funksionim.”
Honçarenko propozon që me Moskën të negociohet për neutralitetin dhe heqjen dorë nga anëtarësimi në NATO, për heqjen e sanksioneve, statusin e gjuhës ruse dhe të Kishës Ortodokse Ruse në Ukrainë, si edhe për statusin e Donbasit. “Të vdesësh si vend i tërë për anëtarësimin në NATO, sipas mendimit tim, është absurde”, thotë ai.
Danilo Hetmancev, anëtar i partisë në pushtet “Shërbëtori i Popullit” dhe kryetar i Komisionit Parlamentar të Financave, shkroi po atë ditë në rrjetet sociale se “intensifikimi i negociatave dhe arritja e paqes duhet të jenë prioriteti ynë kryesor”. Sipas tij, kushtet përfundimtare të paqes duhet të miratohen përmes një referendumi.
Ndërsa, kryetari i bashkisë së Harkivit, Ihor Terehov, kritikoi logjikën politike sipas së cilës lufta mbetet pa alternativë. Megjithatë, ai theksoi se paqja duhet të mbështetet në aftësinë për vetëmbrojtje dhe në garanci konkrete nga partnerët ndërkombëtarë.
Çfarë thotë presidenti dhe opozita?
Menjëherë reagoi edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky me fjalë paralajmëruese, se deputetët kanë përgjegjësi për ruajtjen e unitetit të brendshëm të vendit dhe se nuk duhet të përhapin panik. “Pavarësisht sa e vështirë mund të jetë për ne, nuk duhet t’i nënshtrohemi Putinit dhe Rusisë, sepse kjo do ta copëtonte Ukrainën”, tha presidenti ukrainas.
Grupi parlamentar opozitar i “Solidariteti-t Evropian”, e përjashtoi menjëherë Honçarenkon nga radhët e tij. Në një deklaratë, ai theksoi se “qëndrimet e tij për përfundimin e luftës dhe arkitekturën e ardhshme të sigurisë së Ukrainës devijojnë nga pozicioni i ‘Solidaritetit Evropian’ dhe nga parimet e tij ideologjike”.
Sipas partisë, ndër vlerat për të cilat nuk mund të negociohet janë një ushtri e fortë, gjuha ukrainase si gjuhë zyrtare, një kishë ortodokse ukrainase e pavarur, si dhe anëtarësimi i Ukrainës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Provë për përgatitjen e zgjedhjeve?
Koha e thirrjeve për paqe nuk është e rastësishme, mendon profesori Oleksij Haran nga Akademia Kyiv-Mohyla. “Po afrohet një dimër i vështirë, njerëzit janë të lodhur dhe të gjithë po flasin për negociata, si përfaqësuesit ukrainas ashtu edhe presidenti amerikan Donald Trump”, shpjegon politologu në një intervistë për DW.
Sipas Haranit, disa politikanë po nxitojnë që tani të sigurojnë kapital politik për zgjedhjet e ardhshme. Ai gjithashtu nuk e përjashton mundësinë që këto thirrje të jenë me qëllim të testimit, si do të reagojë shoqëria ndaj ideve për negociata dhe përfundimin e luftës.
Politologu Ihor Çalenko nga “Qendra Ukrainase për Analiza dhe Strategji” i sheh deklaratat e politikanëve ukrainas kryesisht në kontekstin e bisedimeve të mundshme në Abu Dhabi. Atje pritet të zhvillohet një takim teknik trepalësh, ku do të diskutohen armëpushime sektoriale dhe aktivizimi i planit të paqes të presidentit amerikan Donald Trump. Sipas Çalenkos, disa prej këtyre politikanëve kanë lidhje të mira me ekipin e presidentit amerikan. Trumpi, thotë ai, është i interesuar për një rezultat të shpejtë, përpara zgjedhjeve për Kongresin më 3 nëntor. “E gjithë kjo synon kryesisht organizimin e një takimi të tillë, për ta tërhequr Rusinë në negociata”, beson ai. Në të njëjtën kohë, sipas Çalenkos, deklaratat e politikanëve shërbejnë edhe për të testuar se deri në çfarë mase publiku është i gatshëm të pranojë kompromise.
Çfarë mendojnë ukrainasit për negociatat?
Sipas një sondazhi të Institutit Ndërkombëtar të Sociologjisë në Kiev (KIIS), të realizuar në mesin e muajit shtator, 75 për qind e ukrainasve mbështesin negociatat me Rusinë për t’i dhënë fund luftës, ndërsa 21 për qind i kundërshtojnë ato. KIIS thekson se pyetja ka të bënte vetëm me mundësinë e zhvillimit të negociatave dhe jo me lëshimet e mundshme ndaj Rusisë.
69 për qind e të anketuarve do të mbështesnin një armëpushim të menjëhershëm përgjatë vijës aktuale të frontit, me kusht që Ukraina të mos i njohë territoret e pushtuara si pjesë të Rusisë, të vazhdojë forcimin e ushtrisë së saj dhe të ndjekë afrimin me Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Ndërkohë, 62 për qind deklarojnë se janë të gatshëm ta durojnë luftën për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Në Kiev kjo përqindje arrin madje në 72 për qind. Po ashtu, 79 për qind besojnë ende në fitoren e Ukrainës. Megjithatë, pjesa e atyre që janë plotësisht të bindur për një fitore ka rënë nga 60 për qind në fund të korrikut në 47 për qind. “Deklaratat e politikanëve të caktuar nuk reflektojnë opinionin e shumicës së ukrainasve”, shprehet Anton Hrusheskyj nga instituti KIIS. Por megjithatë një pjesë e popullsisë është e gatshme të pranojnë kapitullimin.
A është Rusia vërtet e gatshme të angazhohet në bisedime?
Presidenti rus Vladimir Putin i hodhi poshtë së fundmi si “të pakuptimta” propozimet për një ndërprerje të ndërsjellë të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike dhe anijeve civile. “Mungesa e gatishmërisë së Rusisë është një fakt thelbësor,” thekson politologu Çalenko. Ai e konsideron idenë e një ndarjes së opinionit publik mes një “fraksioni të luftës” dhe një “fraksioni të paqes” si një narrativë të fabrikuar. “Nuk ka asnjë grup të rëndësishëm që do të avokonte për një luftë pa fund. Pozicioni i Ukrainës do të kufizohet te vija e kontaktit dhe garancitë e sigurisë – gjë që përbën tashmë një lëshim – dhe nuk mund të ketë lëshim më të madh se kaq.” Edhe eksperti Oleksij Haran nga Akademia Kyiv-Mohyla thekson se pozicioni aktual i Ukrainës përfaqëson ndërkohë një kompromis të hidhur. “Tani po flasim për një ngrirje. Kjo është tashmë një lëshim kolosal,” thotë ai. “Problemi nuk qëndron te negociatat dhe kompromiset, por te fakti se Putini synon të na çojë drejt një dimri të vështirë në mënyrë që ne të dorëzohemi. Ajo që po thonë tani Honcharenko dhe të tjerët, vetëm sa e nxit më tej Putinin,” paralajmëron Haran./DW/
