Ka shkuar në pesë numri i viktimave nga shembja e tre kateve të një pallati shtatëkatësh në lagjen Maltepe të Stambollit, pasi ekipet e kërkim-shpëtimit nxorën nga rrënojat tre trupa të tjerë. Mes viktimave është edhe një vajzë vetëm pesë vjeçe. Sipas Prefekturës së Stambollit, operacionet e kërkim-shpëtimit kanë përfunduar, ndërsa vijon puna për largimin e rrënojave nga vendngjarja.

Autoritetet bëjnë me dije se katër persona humbën jetën në vend, ndërsa një tjetër ndërroi jetë në spital, si pasojë e plagëve të marra. Viktimat janë identifikuar si Gülce Dora Turhan, 5 vjeçe, Ahmet Muhammed İnan, 22 vjeç, Mesut Bileç, 40 vjeç, Hüseyin Özkurt, 66 vjeç dhe Zeynep İnan, 20 vjeçe. Në njoftimin zyrtar thuhet se trupi i viktimës së fundit u gjet në orën 06:15 të mëngjesit, duke shënuar përfundimin e operacionit të kërkim-shpëtimit në zonën Cevizli të Maltepesë.

Pas shembjes, për arsye sigurie u evakuuan edhe tri ndërtesa pranë pallatit të dëmtuar. Gjithsej, 55 banorë u larguan nga banesat e tyre, ndërsa 44 prej tyre u sistemuan në hotele. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur marrjen e masave për shembjen e kontrolluar të pjesëve të mbetura të ndërtesës, ndërsa vijojnë verifikimet për të përcaktuar shkaqet e ngjarjes.

Shkaku i shembjes mbetet nën hetim. Ekspertët kanë marrë mostra betoni dhe çeliku nga rrënojat, të cilat pritet të analizohen për të përcaktuar faktorët që çuan në shembjen e pjesshme të pallatit. Në kuadër të hetimeve janë arrestuar arkitekti i ndërtesës dhe menaxheri i objektit. Ministri i Brendshëm i Turqisë, Mustafa Çiftçi, konfirmoi përfundimin e operacionit të kërkim-shpëtimit dhe shprehu ngushëllimet për familjet e pesë viktimave.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: