Punonjësit e sektorit publik dhe privat, të rinjtë dhe pensionistët në Francë janë thirrur të marrin pjesë në një grevë dhe protesta kombëtare më 5 nëntor, me kërkesën për rritjen e pagave, pensioneve dhe përfitimeve sociale.

Sipas gazetës franceze “Le Monde”, thirrja është nënshkruar nga sindikatat e mëdha CFDT dhe CGT, në një kohë kur vendi po përballet me protesta studentore dhe tensione të shoqëruara me përleshje mes protestuesve dhe forcave të sigurisë.

Në deklaratën e përbashkët, sindikatat shprehin mbështetje për kërkesat e nxënësve për kushte më të mira studimi dhe më shumë barazi, duke theksuar se do të respektojnë pavarësinë e lëvizjes studentore.

Organizatat sindikale paralajmërojnë gjithashtu për përkeqësimin e kushteve ekonomike të punonjësve, ndërsa çmimet e karburantit, ushqimeve, qirave dhe energjisë vazhdojnë të rriten.

“Gjithçka po shtrenjtohet, përveç pagave dhe pensioneve”, theksojnë sindikatat, duke kërkuar masa konkrete për përmirësimin e fuqisë blerëse dhe mbrojtjen sociale të qytetarëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb