Presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar qëndrimin ndaj Volodymyr Zelenskyt, duke deklaruar se Ukraina duhet të ketë një president të ri, i cili të jetë i gatshëm të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.
Trump shprehu pakënaqësi për vazhdimin e sulmeve ukrainase ndaj rafinerive ruse të naftës, duke pretenduar se ato po ndikojnë në rritjen e çmimeve të karburanteve. “Unë sugjeroj që ata të gjejnë një udhëheqës të ri që mund të bëjë një marrëveshje.
Ai pati shumë mundësi për të bërë marrëveshje, por nuk bëri asnjë”, deklaroi Trump, duke akuzuar Zelenskyn se nuk ka shfrytëzuar mundësitë për t’i dhënë fund konfliktit. Sipas raportimeve, Uashingtoni i kishte kërkuar Kievit të ndalonte sulmet ndaj rafinerive ruse, ndërsa Zelensky kishte propozuar një marrëveshje reciproke, ku Ukraina do të ndalte goditjet ndaj objekteve energjetike ruse nëse Moska ndërpriste sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase. Propozimi nuk u pranua nga Trump.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas kritikoi marrëveshjen e SHBA-së me Rusinë për furnizimin me naftë, duke paralajmëruar se të ardhurat nga shitjet do të forcojnë Moskën dhe do të ndihmojnë financimin e luftës. “Dhuratat për Putinin nuk do të sjellin paqe apo ndonjë përfitim për botën e civilizuar”, deklaroi Zelensky. Përplasja e re mes dy presidentëve vjen në një moment tensionesh për strategjinë ndaj Rusisë dhe përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
