Një 58-vjeçar shqiptar është plagosur me thikë gjatë natës në Agia Galini, në zonën e Rethymnos, në ishullin e Kretës, Greqi. Policia greke është vënë në kërkim të një 17-vjeçari, i cili dyshohet se është i përfshirë në ngjarje.

Sipas informacioneve paraprake, shqiptari, i cili jeton në zonë së bashku me familjen e tij, është sulmuar brenda banesës. Ai ka marrë dy plagë me thikë në bark dhe është transportuar në Spitalin e Përgjithshëm Universitar të Heraklionit (PAGNI), ku po merr trajtim mjekësor.

Pas plagosjes, 58-vjeçari u dërgua fillimisht në Qendrën Shëndetësore të Moires, ku mori ndihmën e parë. Për shkak të plagëve, u vendos transportimi i tij me ambulancë drejt spitalit universitar në Heraklion, i shoqëruar nga një mjek.

Ndërkohë, autoritetet greke kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe po kërkojnë 17-vjeçarin e dyshuar. Policia po përpiqet të përcaktojë rrethanat në të cilat ndodhi sulmi, si dhe motivet që mund të kenë çuar në plagosjen e shqiptarit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb