Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar sapo ka mbërritur në Kryesinë e Kuvendit.
Në orën 11:00, është parashikuar të mbajë një takim me kryetarin e Parlamentit, Niko Peleshi.
Më herët, ministri izraelit Sa’ar ka takuar homologun e tij shqiptar, Ferit Hoxha.

Pas takimit që do të ketë me Peleshin, pritet që Sa’ar do të takojë kryeministrin e vendit, Edi Rama.
***
Ndërkohë, Ferit Hoxha dhe homologu i tij izraelit nënshkruan Marrëveshjen për Bashkëpunimin e Përgjithshëm, e cila shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve.
Marrëveshja krijon një kuadër të gjerë bashkëpunimi ndërqeveritar dhe vendos një mekanizëm të strukturuar për zhvillimin e partneriteteve konkrete në fusha me interes të ndërsjellë, si ekonomia dhe tregtia, inovacioni dhe teknologjia, bujqësia, menaxhimi i ujërave, energjia, shëndetësia, arsimi, siguria, turizmi dhe kultura.
Në mënyrë të veçantë, bashkëpunimi në fushën e turizmit ka njohur zhvillime shumë pozitive vitet e fundit, duke u shndërruar në një prej sektorëve më dinamikë dhe premtues të marrëdhënieve dypalëshe.
Gjatë takimit, Ministri Hoxha rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të sigurisë së Izraelit, duke nënvizuar njëkohësisht rëndësinë e përpjekjeve për arritjen e një zgjidhjeje që garanton paqe, stabilitet dhe siguri afatgjatë për të gjithë rajonin.
Vizita shërbeu gjithashtu si një mundësi për të rikonfirmuar angazhimin e Shqipërisë kundër terrorizmit, ekstremizmit, antisemitizmit dhe çdo forme urrejtjeje. Në këtë kuadër, Ministri Sa’ar vizitoi ekspozitën arkivore që dokumenton traditën e njohur shqiptare të mbrojtjes së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, një kapitull krenarie në historinë e vendit tonë.
Dy ministrat vlerësuan rëndësinë e vijimit të dialogut politik dhe të bashkëpunimit në të gjitha nivelet, përmes koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet dy vendeve, në funksion të forcimit të mëtejshëm të partneritetit Shqipëri-Izrael.
