Kremlini ka hedhur poshtë propozimin e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për një armëpushim 60-ditor, që do t’i mundësonte Ukrainës të zhvillonte zgjedhjet presidenciale. Moska deklaron se synon një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë paqeje, dhe jo një ndërprerje të përkohshme të luftimeve.

“Ju lutem, i thoni Putinit të na japë dy muaj, 60 ditë për një armëpushim të plotë, 60 ditë dhe ne do të mbajmë zgjedhje”, tha Zelensky të dielën, në një intervistë për emisionin “This Week” të televizionit amerikan ABC. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi të hënën se Rusia nuk kërkon një armëpushim të përkohshëm, por një zgjidhje që do të garantojë paqe afatgjatë.

“Në Kremlin, presidenti Putin dhe zyrtarët në nivele të tjera kanë deklaruar vazhdimisht se ne nuk duam armëpushim. Ne duam paqe afatgjatë dhe jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që është e mundur për ta arritur atë”, u shpreh Peskov.

Rusia prej kohësh i kërkon Ukrainës të zhvillojë zgjedhje, duke pretenduar se mosmbajtja e tyre e bën Zelenskyn një udhëheqës të paligjshëm. Megjithatë, zhvillimi i zgjedhjeve gjatë gjendjes së luftës është i ndaluar nga legjislacioni ukrainas. Kremlini bëri të ditur gjithashtu se vijojnë kontaktet për një armëpushim të mundshëm energjetik mes Rusisë dhe Ukrainës, të cilin e ka njoftuar presidenti amerikan, Donald Trump. I pyetur nëse një marrëveshje e tillë do të përfshinte vetëm rafineritë e naftës, Peskov nuk pranoi të jepte detaje, duke thënë se informacione të mëtejshme do të bëhen publike në kohën e duhur.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: