Analisti Erl Murati, gjatë fjalës së tij në emisionin “Prime News24” në News24, komentoi pjesëmarrjen e Ervin Salianjit në protestën e qytetarëve, duke u ndalur te raporti i tij me Partinë Demokratike dhe ambicia për të marrë drejtimin e saj.
Murati u shpreh se do të ishte e padrejtë që Salianji të kritikohej për pjesëmarrjen në protestë, por sipas tij, protestuesit e rinj kanë treguar se dëshirojnë të qëndrojnë larg politikës aktive dhe përfaqësuesve të saj.
Sipas analistit, kjo qasje tregon përpjekjen e protestuesve për të ruajtur pavarësinë e lëvizjes së tyre nga partitë politike.
Duke komentuar ambicien e Salianjit për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike, Murati u shpreh se ai po përballet me një sfidë të vështirë, pasi, sipas tij, kontrolli politik brenda PD-së mbetet në duart e Sali Berishës.
“Për mua do të ishte e padrejtë ta kritikonim Salianjit për pjesëmarrjen në protestën e flamingos. Por besoj se për sytë e protestës së flamingove, zoti Salianji është politikan i politikës së vjetër. Dhe protestuesit të rinjtë që kanë dalë aty, jo vetëm Salianjin por edhe politikanë të tjerë, Arlind Qori, Lapaj, Shehaj nuk i kanë dhënë hapësirë në protestë. Pra drejtuesit e protestës janë kujdesur t’i qëndrojnë larg politikës aktive. Sa i përket zotit Salianji, ka ambicien e vet për të qenë kryetar i PD. Por unë i kam thënë që po i bie murit me kokë. Unë e kam thënë që Partia Demokratike është e Sali Berishës. Unë e shoh të pamundur që Salianji që është thuajse vetëm, nëse do e ndajmë në dy individë si analist ka komplet të drejtë. Por kur vjen puna te Ervin Salianji një politikan aktiv për mua është përpjekje e kotë që të kërkojë postin e Berishës në PD. Unë e kam thënë se sa kohë nuk e gjen vetëm një familje politike, krijo një parti të re”, tha mes të tjerash ai.
