Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është vënë në qendër të një polemike financiare pas një investigimi të gazetës britanike “The Times”, që ngre dyshime mbi transparencën e të ardhurave të tij. Sipas investigimit, gjatë vitit 2024, Infantino dyshohet se ka përfituar mbi 1.6 milionë euro shtesë nga kompania amerikane përgjegjëse për organizimin e Kupës së Botës 2026, përveç 4.57 milionë eurove të deklaruara zyrtarisht nga FIFA.

Pagesa të ngjashme pretendohet se janë kryer edhe gjatë viteve 2025 dhe 2026, pa u pasqyruar në raportet vjetore të organizatës. Një pjesë e këtyre përfitimeve dyshohet se lidhet edhe me shpenzimet e akomodimit të Infantinos në një vilë luksoze në Miami. Ish-drejtuesi i Komitetit të Qeverisjes së FIFA-s, Miguel Maduro, e ka cilësuar këtë situatë si një shkelje të qartë të rregullave, duke kërkuar një hetim të pavarur.

Nga ana tjetër, FIFA ka deklaruar se të gjitha shpërblimet administrohen nga organet përkatëse dhe raportohen sipas detyrimeve ligjore, por pa sqaruar mungesën e shumave shtesë në raportin financiar. Këto zbulime vijnë në një moment delikat për Infantinon, i cili ka konfirmuar synimin për të kandiduar për një tjetër mandat në krye të FIFA-s, me afatin e paraqitjes së kandidaturave që përfundon më 18 nëntor.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: