Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Durrës njofton se ditën e nesërme, të mërkurën, më 14 tetor, mund të ketë probleme me furnizimin me ujë në të gjithë zonën e saj të shërbimit, për shkak të një ndërprerjeje të planifikuar të energjisë elektrike.
Sipas njoftimit, Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) do të stakojë dhe tokëzojë linjën 110 kV L110-36 Laç 1–Fushë Kuqe, nga ora 09:00 deri në orën 14:00. Nga kjo linjë furnizohen me energji elektrike stacionet e pompave në Fushë Kuqe, Fushë Milot dhe Fushë Krujë, të cilat sigurojnë furnizimin me ujë për zonat e prekura.
Probleme të mundshme me furnizimin me ujë mund të ketë në qytetin e Durrësit, në zonat e fshatrave dhe zonën turistike, si dhe në Maminas e Shijak. Shoqëria Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Durrës u kërkon qytetarëve mirëkuptim për këtë situatë të përkohshme.
