Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Uaterfordit në Republikën e Irlandës, ku katër persona, mes tyre dy fëmijë, kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu një banesë. Ndërkohë, dy fëmijë të tjerë janë dërguar në spital me lëndime të rënda.

Ngjarja u regjistrua në orët e para të mëngjesit në zonën e njohur si Birchuood, rreth tre kilometra larg qendrës së qytetit. Sipas autoriteteve, flakët kishin përfshirë një pjesë të madhe të shtëpisë përpara mbërritjes së ekipeve zjarrfikëse, të cilat u njoftuan pak pas orës 05:00.

Forcat e emergjencës ndërhynë menjëherë për të vënë zjarrin nën kontroll dhe për të shpëtuar personat që ndodheshin brenda ndërtesës. Gjatë operacionit, disa njerëz u nxorën nga banesa, por për katër prej tyre ndërhyrja nuk mundi të përfundonte me sukses.

Policia irlandeze konfirmoi se viktimat janë një burrë, një grua dhe dy fëmijë. Dy fëmijët e tjerë që mbijetuan janë transportuar në spital, ku po marrin trajtim mjekësor për shkak të gjendjes së tyre kritike.

Pas incidentit, zona përreth banesës u rrethua nga policia, ndërsa në vendngjarje vijojnë të jenë të pranishme ekipet e zjarrfikësve, efektivët e policisë dhe specialistë të kompanisë së gazit, të cilët po asistojnë në operacionet përkatëse.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje te banorët e zonës, të cilët janë mbledhur pranë vendit të tragjedisë. Sipas raportimeve, familja që jetonte në banesë ishte e njohur për komunitetin lokal.

Autoritetet e kanë cilësuar rastin si një ngjarje ende në zhvillim dhe deri më tani nuk kanë dhënë informacione të tjera lidhur me shkaqet e zjarrit. Hetimet pritet të ndihmojnë në përcaktimin e rrethanave që çuan në këtë tragjedi familjare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: