Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka, i ftuar në emisionin Minuta e parë komentoi reformën e re territoriale që u votua në parlament, ku tashmë do të kemi 46 bashki.

Duka theksoi se ka pasur një revolte popullore ndaj ndarjes së re territoriale. Ai kujtoi se u dogjën edhe tesera të PS-së, që ishin kundër kësaj reforme.

Deklaroi se beson se zonat rurale duhet të kenë bashki më vete, sepse kanë të tjera problematika nga zonat urbane.

“Nuk besoj se BE-ja ka interes të madh nëse Divjaka shkoi me Lushnjën apo ngeli më vete. Ata duan që Shqipëria të mos ketë problematika të tilla. Duket se ka një reagim mbarëpopullor kundër kësaj ndarje territoriale. Unë them se zonat rurale mbase duhet të kenë bashki më vete, sepse problematikat e tyre kanë të bëjnë me bujqësinë dhe probleme të tilla. Kurse zonat urbane kanë të tjera probleme. Unë shikoj se populli nuk është i kënaqur me reformën territoriale. Pati revoltë edhe brenda PS, ku treguan se janë kundër, duke djegur tesera. Reforma nuk u llogarit mirë. Duket se duan që të përqendrojnë pushtetin në duart e pak njerëzve”, tha Duka.

Në lidhje me mbylljen e kapitullit të katërt të negociatave me BE-në, Duka vlerësoi se duket se ka vullnet pozitiv nga Bashkimi Europian për integrimin e Shqipërisë e rajonit, edhe për shkaqe gjeo-politike.

“Kapitujt më të vështirë Shqipëria i ka me ato që kanë të bëjnë me drejtësinë dhe me standardet ushqimore, mjedisi etj. Ankohen shumë njerëzit për ushqimet. Besoj se ka vullnet pozitiv nga BE-ja, edhe për çështje gjeo-politike, duket se duan që të fusin Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Europian. Urojmë që të plotësohet ëndrra e shqiptarëve për anëtarësim të vendit në BE. Bashkimi Europian është rigoroz në standardet ushqimore dhe në mjedis’, deklaroi Duka.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb