Interi pëson humbjen e dytë radhazi në Champions League, duke komplikuar rrugëtimin në kompeticionin më prestigjioz europian për klube. Pas disfatës ndaj Real Madridit, skuadra e Cristian Chivut është mposhtur 3-4 në “San Siro” nga Club Brugge, në një përballje spektakolare me shtatë gola.

Protagonisti absolut i takimit ishte Nicolò Tresoldi, autor i një tregolëshi për belgët. Sulmuesi italo-gjerman zhbllokoi rezultatin në minutën e 29-të nga pika e bardhë e penalltisë, ndërsa Lautaro Martinez riktheu baraspeshën për Interin në fundin e pjesës së parë.

Në fraksionin e dytë, zikaltërit shpërdoruan një mundësi të artë me Lautaron, përpara se Tresoldi të realizonte edhe dy herë të tjera, duke çuar rezultatin në 3-1. Kapiteni argjentinas ngushtoi diferencën në minutën e 81-të, por Vermant riktheu avantazhin e dy golave për belgët. Realizimi i Bonny në minutat shtesë shërbeu vetëm për statistikë, me Club Brugge që festoi një fitore të madhe në Milano.

Pas ndeshjes, Cristian Chivu nuk e fshehu zhgënjimin, duke marrë përgjegjësinë për humbjen. Tekniku rumun pranoi se skuadra humbi ekuilibrin dhe qetësinë pas rasteve të shpërdoruara në fillimin e pjesës së dytë, duke u ndëshkuar nga kundërsulmet e belgëve.

“Zhgënjimi dhe nxitimi na bënë të humbnim ekuilibrin. Nuk iu përmbajtëm planit të lojës dhe në Champions League gabime të tilla paguhen shtrenjtë. Unë jam përgjegjësi i parë dhe duhet të korrigjojmë shumë gjëra, si në aspektin taktik, ashtu edhe në atë mendor”, deklaroi Chivu.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb