Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar pas përshkallëzimit të protestës në Tiranë, duke bërë me dije se 51 punonjës të Policisë së Shtetit janë lënduar gjatë akteve të dhunës së sotme.
Disa prej efektivëve ndodhen në Spitalin Ushtarak, ku po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Përmes një reagimi, Demo ka dënuar dhunën ndaj punonjësve të policisë, duke theksuar se pas çdo uniforme qëndron një njeri dhe një familje që e pret në shtëpi.
“Pas çdo uniforme është një njeri. Një prind, një bir, një bijë, një familjar që ka dalë nga shtëpia për të përmbushur detyrën dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve”, shkruan ministri.
Ai thekson se e drejta për të protestuar është e garantuar, por sipas tij, dhuna ndaj punonjësve që kanë për detyrë të ruajnë rendin dhe sigurinë publike nuk mund të justifikohet.
“Dhuna ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit është e papranueshme dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë. E drejta për të protestuar është e garantuar, por dhuna ndaj atyre që kanë për detyrë të mbrojnë rendin dhe sigurinë nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë pjesë e saj”, shprehet Demo.
Ministri ka falënderuar efektivët që, sipas tij, kanë vijuar detyrën me profesionalizëm dhe përgjegjësi, pavarësisht situatës së tensionuar dhe rrezikut me të cilin janë përballur.
Në fund të reagimit, Demo u ka uruar shërim të shpejtë të gjithë punonjësve të policisë që janë lënduar, duke shprehur mbështetjen e tij edhe për familjarët e tyre.
“Pas uniformës është njeriu. Pas detyrës është sakrifica. Dhe kjo sakrificë meriton respektin e të gjithëve”, përfundon ministri.
Reagim i ministrit Demo:
51 punonjës të Policisë së Shtetit janë lënduar gjatë akteve të dhunës së sotme. Disa prej tyre ndodhen aktualisht në Spitalin Ushtarak, ku po marrin kujdesin e nevojshëm mjekësor.
Pas çdo uniforme është një njeri. Një prind, një bir, një bijë, një familjar që ka dalë nga shtëpia për të përmbushur detyrën dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Dhuna ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit është e papranueshme dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë. E drejta për të protestuar është e garantuar, por dhuna ndaj atyre që kanë për detyrë të mbrojnë rendin dhe sigurinë nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë pjesë e saj.
Mirënjohje dhe respekt për çdo punonjës policie që sot, përballë dhunës dhe rrezikut, qëndroi në krye të detyrës me profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjësi.
Ju uroj shërim sa më të shpejtë të gjithë efektivëve të lënduar! Jemi pranë jush dhe familjeve tuaja.
Pas uniformës është njeriu. Pas detyrës është sakrifica. Dhe kjo sakrificë meriton respektin e të gjithëve.
