Gazetari Ferdinand Dervishi, i ftuar në emisionin “Prime News24”, në News24 ka ngritur shqetësime të forta për mënyrën se si po veprojnë forcat e policisë gjatë protestave studentore në Tiranë, duke vënë në fokus përdorimin masiv të gazit lotsjellës dhe shoqërimin e protestuesve nga persona me rroba civile.

Dervishi u ndal te pamjet e shoqërimit të një protestueseje nga disa persona, të cilët, sipas tij, e kanë futur me forcë në një automjet civil pa u identifikuar qartë si punonjës policie.

Ai ngriti pikëpyetje mbi arsyen e përdorimit të kësaj forme ndërhyrjeje, duke argumentuar se personat që kryejnë shoqërime duhet të identifikohen dhe të bëjnë të qartë se po veprojnë në emër të policisë.

Gazetari deklaroi se, sipas vëzhgimeve të tij, numri i protestuesve është rritur ndjeshëm, ndërsa kritikoi mënyrën e ndërhyrjes së forcave të rendit gjatë orëve të mbrëmjes.

Ai pretendoi se kishte parë persona me rroba civile që ndërhynin për të shoqëruar të rinj dhe se, sipas tij, në disa raste janë përfshirë edhe qytetarë që nuk po merrnin pjesë në protestë.

Gazetari përmendi gjithashtu rastin e një kalimtari, i cili, sipas tij, është dhunuar dhe ka pësuar dëmtime të rënda në këmbë. Ai kritikoi atë që e cilësoi përdorim të tepruar të forcës dhe ngriti shqetësime për trajtimin e personave të shoqëruar në komisariate.

Dervishi ngriti edhe shqetësimin për mënyrën se si trajtohen të rinjtë pas shoqërimit në polici, duke pretenduar se disa prej tyre mund të jenë përballur me dhunë dhe presion në ambientet e komisariateve.

“Është një femër që shoqërohet një nga ngjarjet më të rënda dhe vizualisht e dëgjuar. Ajo që bën përshtypje është se janë katër njerëz, meshkuj të fuqishëm që marrin një femër dhe e hedhin në atë formë në makinë një studentë apo protestuese. Dhe më e rëndë akoma është që përveçse janë civilë, makinat janë civile dhe duket si rrëmbim i pastër i një personi pa u prezantuar. Dhe nuk e kuptoj përse duhet ushtruar aq shumë dhunë. T’i prezantohet që janë njerëz të policisë dhe ta fusin në një makinë policie. Përse duhet të bëhet kjo shfaqje kaq e egër në rrugët e Tiranës. Për mua protesta sot është e dyfishuar në numra, dje në orën 20:00 të darkës gjithçka kishte përfunduar ishin lëshuar me makina civilë për të kapur adoleshente. Përpara syve të mi, u fsheh një protestues dhe policia i ka marrë zvarrë edhe qytetarë që kishin ngrënë darkë aty. Problemi shumë i madh me këto pjesën e shoqërimeve apo rrëmbimeve për të marrë edhe njerëz që nuk janë studentë. Ata pretendojnë se marrim ata që ushtrojnë dhunë. Por po shoh persona civilë që e bëjnë këtë. Mua më duket se kjo nuk ka asgjë të përbashkët me një sjellje normale të policisë . Unë shoh një dhunë të ekzagjeruar të ushtruar nga civilë, dhe nuk ka më tepër se rasti i para dy ditëve, rrëmbyen një kalimtar e dhunua i thyen këmbën por edhe e morën. Është një lëvizje qorre e një policie që vepron në mënyrë barbare dhe më duket si një skalion i një policie politike dhe më duket sikur nuk e ka në dorë policia reale, e trajnuar. Por e ka në dorë ato çfarë ka infiltrua pushteti në policinë shqiptare. Po veprojnë si banditë. Ishin më të sjellshëm ata që morën të AKSHI-t…Janë vënë përpara skalionet e policisë politike, të militantëve dhe patronazhistëve që janë të punësuar në policinë e shtetit. Ti shikon se polici vrapon dhe ja këput me shkop gome mbrapa kokës…Por ka një 16-vjeçarë…Nga të dhëna të sakta që kemi, kur i çojnë në komisariat i masakrojnë kur nuk ka kamera dhe u bëjnë presion”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: