Avokati Marash Logu dhe avokatja Adriana Kalaja kanë denoncuar dhunën e pretenduar ndaj studentëve të arrestuar gjatë protestave, pas daljes nga Gjykata e Tiranës, ku u caktuan masat për disa prej tyre. Logu deklaroi se studentët që ndodheshin në spital kishin shenja të dukshme dhune në fytyrë dhe në pjesë të tjera të trupit, të cilat, sipas tij, i kishin konstatuar gjatë vizitës në Spitalin e Traumës.
Ndërsa Adriana Kalaja kritikoi vendimmarrjen e gjykatës, duke pretenduar se ajo nuk kishte vepruar në mënyrë të pavarur. Ajo bëri të ditur se kishte përgatitur një kallëzim shtesë për dhunën e pretenduar nga data 14 tetor deri më sot, duke përfshirë edhe raste të dyshuara të abuzimit me detyrën nga drejtues dhe punonjës të Policisë.
Kalaja pretendoi gjithashtu se disa protestues ishin shoqëruar me shenja dhune në komisariate, ndërsa shtoi se në Komisariatin nr. 4 nuk ishte lejuar t’i merrte në mbrojtje.
Ajo u bëri thirrje prindërve që të qëndrojnë pranë fëmijëve të tyre dhe të kërkojnë ndihmë në rastet kur nuk kanë informacion për vendndodhjen e tyre.
“Gjykata e Tiranës nuk u ngrit në lartësinë e saj, por u bë zbatuese e urdhrave. Në mesin e të akuzuarve është edhe një ekselent i Fizikës, i cili është dhunuar brutalisht. Ai deklaron se ka prova të dhunës barbare që i është ushtruar. Madje kemi raste të shefave të policisë dhe efektivëve për abuzim me detyrën. Sot kam ardhur me kallëzim të ri, kam përgatitur një kallëzim shtesë, ku kam referuar për dhunë barbare nga data 14 deri më sot. Kemi prova të mjaftueshme.
Mbrëmë, në Komisariatin nr. 4 dhe në komisariate të tjera, kanë ndodhur arrestime të paligjshme. Mbrëmë u shoqëruan me makinë private katër protestues, të cilët dukshëm kishin shenja dhune. Nuk u pranua nga Komisariati nr. 4 që t’i merrja në mbrojtje. Sot prindërit duhet të jenë në krah të fëmijëve të tyre, por nëse kanë probleme me informacionin, nëse nuk dinë se ku i kanë fëmijët e tyre, të na kontaktojnë. fati i asaj vazjës që u mor peng me furgonin e bardhë civil, nuk dihet”, tha avokatja Kalaja.
