Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar për vendimin e Gjykatës Penale ndaj studentit Klevin Metaj, i cili u bë një nga figurat më të komentuara të protestës pas përplasjes me gjashtë efektivë të policisë ditën e parë të revoltës.

Berisha e ka cilësuar Metajn si “luanin” e protestës, duke e vënë theksin te përballja e tij me forcat e policisë dhe te vendimi për ta lënë në arrest shtëpie.

Kreu i PD-së e ka krahasuar këtë vendim me trajtimin e personave të lidhur me çështjen e AKSHI-t, duke përmendur edhe Karçanajn. Përmes këtij krahasimi, Berisha ka përcjellë kritika ndaj mënyrës se si drejtësia po trajton rastet e ndryshme.

Sali Berisha: PD dënon me forcën më të madhe vendimet e sotme të dhëna nga një gjykatëse në konflikt të hapur interesi, e cila për definicion me ligjin, në respekt të ligjit, për shkak të pozicionit të bashkëshortit, duhet të refuzonte vlerësimin e masës ndaj heronjve të revoltës studentore.
Masat politike të dhëna nga Edi Rama përmes gjykatës, a mund të imagjinoni ju, studenti Metaj, luani i protestës pa asnjë akt dhune përveç reagimeve plotësisht të ligjshme ndaj narkobanditëve që e arrestuan dhe donin ta rrëmbenin, e lënë në arrest shtëpie njëlloj si Karçanajn e AKSHI-t të Surrelit.
A mund të imagjinohet një gjë e tillë?
Ajo që me Ergys Agasin dhe bandën e AKSHI-t ka zhdukur dhe shpërdoruar qindra e qindra milionë për llogari të Edi Ramës dhe mafies së tij, ajo ndodhet në arrest shtëpie njëlloj si studenti guximtar që u mbrojt me heroizëm, u mbrojt me guxim të jashtëzakonshëm nga shtatë narkobanditë që e rrethuan pa asnjë motiv.
Vendimet e sotme janë marrë në zyrën e Edi Ramës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb