Tensionet janë rikthyer në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku vijon protesta e studentëve, gjimnazistëve dhe qytetarëve kundër qeverisë.

Gjatë përplasjeve, Policia e Shtetit ka përdorur vazhdimisht gaz lotsjellës, ndërsa të rinjtë kanë hedhur sende të forta në drejtim të efektivëve.

Situata është shoqëruar me kaos dhe panik mes protestuesve. Gjatë tensioneve është plagosur edhe një vajzë, e cila, sipas pamjeve, duket se ka marrë një dëmtim në kokë dhe është parë e gjakosur.

Kanë qenë qytetarët e pranishëm ata që i kanë ardhur në ndihmë të resë, ndërsa pranë protestuesve ndodhej edhe një ekip punonjësish shëndetësorë.

Më pas, vajza është marrë nga ambulanca për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Ende nuk ka informacion të konfirmuar për gjendjen e saj shëndetësore.

Ndërkohë, situata në bulevard vijon të jetë e tensionuar, me hedhjen e gazit lotsjellës nga policia dhe përplasjet me protestuesit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb