Gazeta e njohur franceze “Le Monde” i ka kushtuar një artikull protestave antiqeveritare në Shqipëri, duke e cilësuar situatën si të paprecedentë që nga rënia e diktaturës komuniste në vitin 1991. Sipas medias franceze, pas katër muajsh e gjysmë demonstratash, zemërimi i qytetarëve është përshkallëzuar, ndërsa kërkesa kryesore e protestuesve është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Në artikullin e publikuar më 17 tetor, “Le Monde” shkruan se lëvizja, e njohur si “Revolucioni i Flamingove”, ka ndryshuar formë, duke lënë pas tubimet paqësore të mbrëmjes dhe duke u zhvendosur drejt protestave të tensionuara që nisin që në orët e para të ditës. Mijëra qytetarë kanë dalë në rrugët e Tiranës, duke kërkuar largimin e Ramës, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe luftën kundër korrupsionit.

“Pas katër muajsh e gjysmë protestash, demonstruesit, të acaruar nga ajo që e përshkruajnë si ‘përbuzje’ dhe ‘indiferencë’ të kryeministrit Edi Rama, kanë zgjedhur një qasje të re”, shkruan gazeta franceze, duke iu referuar përshkallëzimit të protestave dhe përplasjeve të ditëve të fundit. Studiuesja Gresa Hasa, e cituar nga “Le Monde”, e lidh këtë revoltë me pakënaqësinë e akumuluar ndër vite. “Njerëzit duan të jetojnë në një vend demokratik. Ky është rezultat i 35 viteve të frustrimit të akumuluar që nga rënia e diktaturës komuniste në vitin 1991”, shprehet ajo.

Sipas artikullit, zemërimi është përhapur edhe në pesë qytete të tjera të vendit. Ndërkohë, kryeministri Edi Rama, në pushtet që nga viti 2013, ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqjen, duke akuzuar opozitën për nxitjen e trazirave. Megjithatë, “Le Monde” vëren se edhe përfaqësues të opozitës janë përballur me reagime dhe fishkëllima nga protestuesit, çka pasqyron pakënaqësinë ndaj të gjithë sistemit politik. Shkrimtari dhe ish-ambasadori i Shqipërisë në Francë, Besnik Mustafaj, i cilëson zhvillimet si të paprecedenta që nga fundi i regjimit komunist. Sipas tij, përshkallëzimi është pasojë e protestave të gjata paqësore, të cilat, sipas tij, nuk kanë marrë përgjigjen e kërkuar nga autoritetet.

“Kjo dhunë është rezultati logjik i 137 ditëve protesta paqësore që nuk u dëgjuan. Njerëzit po humbasin durimin”, citohet të ketë thënë Mustafaj. Megjithatë, ai ngre shqetësimin për mungesën e organizimit dhe të një strukture përfaqësuese brenda lëvizjes, duke vlerësuar se kjo e vështirëson dialogun. “Le Monde” vëren se protesta, e cila nisi me kërkesa të caktuara, është zgjeruar për të përfshirë pakënaqësi më të gjera ndaj qeverisjes dhe sistemit politik. Radikalizimi i lëvizjes, sipas gazetës, ka shtuar pasigurinë për zhvillimet e ardhshme në Shqipëri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: