Protestat e të rinjve në Shqipëri pritet të vijojnë edhe sot, në ditën e pestë të revoltës kundër qeverisë, me studentët e Mjekësisë që planifikojnë të mblidhen para fakultetit dhe më pas të marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit.

Ndryshe nga dita e djeshme, kur protestat u shoqëruan me tensione dhe përplasje me policinë, mëngjesi i sotëm në kryeqytet paraqitet më i qetë. Megjithatë, Policia e Shtetit ka marrë masa për mbarëvajtjen e situatës. Gjatë ditës së djeshme, qytetarë denoncuan në News24 kontrollet e policisë në rrugë, duke pretenduar se u ndaluan teksa kryenin angazhimet e tyre të përditshme. Sipas raportimeve, efektivët u kërkonin të hapnin çantat, ndërsa disa prej personave të kontrolluar u shoqëruan në komisariat. Pamjet e këtyre kontrolleve u transmetuan drejtpërdrejt në News24.

Ndërkohë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku protestuesit janë mbledhur çdo mbrëmje para Kryeministrisë, sot raportohet për një prani më të ulët të forcave të policisë. Këtë e bëri të ditur gazetarja e News24, Xhensila Kodra, gjatë një raportimi live nga terreni.

Pas godinës së Kryeministrisë qëndron ende një autobot me ujë, i vendosur që në ditën e parë të protestave studentore, si pjesë e masave të marra nga policia për menaxhimin e tubimeve. Kujtojmë se prej 4 ditësh po mbahen protesta masive në Tiranë dhe në rrethe, ku gjimnazistë dhe studentë janë ngritur kundër kryeministrit Edi Rama, ndërsa kërkojnë largimin e qeverisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: