Ish-zëvendësministri i Arsimit, Taulant Muka, ka marrë pjesë në protestën para Ministrisë së Arsimit, ku ka akuzuar qeverinë dhe sistemin arsimor për promovimin e personave që, sipas tij, kanë kryer plagjiaturë.
Muka e cilësoi institucionin si “Ministria e Plagjiaturës”, duke deklaruar se prindërit janë gjithashtu pjesë e protestës, pasi kanë lënë fëmijët e tyre të protestojnë për të ardhmen.
Ai kujtoi edhe denoncimet e tij të mëparshme për plagjiaturat, duke pretenduar se nuk ishin marrë masa në kohën kur i kishte ngritur këto shqetësime. Muka komentoi gjithashtu qëndrimin e ministres ndaj studentëve dhe protestave, ndërsa në fund të fjalës së tij lëshoi akuza ndaj kryeministrit.
“Kjo është Ministria e Plagjiaturës. S’ka kopjac dhe hajdut që nuk ka lënë pa promovuar ky sistem. Prindërit, në një farë mënyre, janë këtu, sepse kanë lënë fëmijët e tyre që të protestojnë.
Qeveria i kishte vënë zjarrin shtetit. Ishte shtet që kishte poste, por jo letra. Ministrja shqetësohej për ‘like’-t dhe sharjet, dhe jo për studentët. Kur unë zbulova plagjiaturat, nuk donte të merrte masa. Këtë gjë e ka konfirmuar dhe SPAK sot. Goditja më e fortë që ka qenë është takimi i parë me qeverinë. Dolën tabelat me sharje dhe ‘like’-t që marrin në rrjetet sociale.
Dje i ishte trashur gjuha nga medikamentet antipanik, pasi nuk shqiptonte dot TH dhe DH. Ditët dhe orët e tij janë të numëruara. Rinia është zemra dhe shpirti i këtij kombi”, u shpreh Taulant Muka nga protesta.
