Imami në Xhaminë e Madhe në Durrës, Ervin Qylafku i ka drejtuar një letër të hapur Kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar të reflektojë mbi situatën politike në vend dhe të japë dorëheqjen nga detyra.

Në letrën e tij, Qylafku shprehet se dorëheqja e kryeministrit do të ishte një hap për të ndalur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës, ndërsa ngre akuza ndaj qeverisë dhe kabinetit të saj, të cilin e konsideron të zhveshur nga besueshmëria dhe legjitimiteti moral përballë qytetarëve.

Ai paralajmëron se refuzimi për të dëgjuar kërkesat e qytetarëve mund të ketë pasoja të rënda për trashëgiminë politike të Ramës.

Në përfundim të mesazhit, Qylafku thekson se, sipas tij, largimi i kryeministrit nga detyra do të ishte një hap i nevojshëm për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës dhe rrezikun e përplasjeve mes shqiptarëve.

LETËR E HAPUR

Drejtuar: Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë z. Edi Rama
Zoti Kryeministër, përmes kësaj letre të hapur po ju drejtohem publikisht për t’ju bërë thirrje të relektoni mbi gjendjen që po përjeton vendi ynë dhe të merrni vendimin e vetëm të duhur që ju ka mbetur: të jepni dorëheqjen.
Dorëheqja juaj sot nuk do t’i fshijë dëmet e mëdha të shkaktuara, por të paktën do të shërbejë si një hap minimal për të ndalur përkeqësimin e mëtejshëm dhe për të rregulluar diçka nga zullumet e qeverisë dhe të ministrave tuaj.

Kabineti juaj ka humbur çdo lloj besueshmërie dhe legjitimiteti moral përpara qytetarëve shqiptarë. Nëse refuzoni të dëgjoni zërin e arsyes dhe vazhdoni të mbaheni pas karriges, pasojat e historisë suaj politike do të jenë të pariparueshme: Do të mbaheni mend si kryeministri më i urryer i Shqipërisë që nga koha e Mehmet Shehut. Koha për arsyetime ka mbaruar.

Shqipëria dhe qytetarët e saj meritojnë një të ardhme tjetër, të çliruar nga korrupsioni dhe dështimet e kësaj qeverisjeje. Të vetmin shërbim që mund t’i bëni shqiptarëve në këto momente është të ruani gjakderdhjen dhe vëllavrasjen.
Jepni dorëheqjen tani!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb