Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka folur për CNN lidhur me largimin e saj nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dhe protestat e të rinjve kundër qeverisë, që prej disa ditësh kanë përfshirë Tiranën.
Në intervistën për median amerikane, Koçeku deklaroi se vendimi për t’u larguar nga grupi parlamentar erdhi pas dhjetë muajsh angazhim politik me PS-në, ndërsa protestat e Gen Z, ndikuan në qëndrimin e saj. Sipas deputetes, kërkesat e kësaj lëvizjeje dhe politikat e kundërshtuara nga protestuesit nuk përputheshin më me parimet e saj.
Duke folur për arsyet që kanë nxitur zemërimin e qytetarëve, Koçeku përmendi largimin masiv të të rinjve nga Shqipëria, skandalet e korrupsionit dhe përqendrimin e pushtetit. Ajo akuzoi qeverinë për arrogancë dhe mungesë transparence, duke theksuar se të rinjtë po kërkojnë një marrëdhënie tjetër mes institucioneve dhe qytetarëve.
“Ky zemërim është grumbullimi i një revolte shumëvjeçare, veçanërisht po të kemi parasysh largimin masiv të të rinjve nga vendi, sidomos gjatë dhjetë viteve të fundit. Kemi skandale të mëdha korrupsioni, të cilat, sipas institucioneve të drejtësisë, mund të arrijnë në rreth 7% të buxhetit të shtetit për këtë vit”, u shpreh ajo.
Një pjesë të rëndësishme të intervistës për CNN, deputetja e pavarur ia kushtoi sjelljes së policisë gjatë protestave. Koçeku tha se ka qenë e pranishme në tubime dhe se, sipas saj, ka parë nga afër përdorimin e forcës ndaj studentëve dhe të miturve.
Ajo pretendoi se ndaj protestuesve janë përdorur shkopinj dhe gaz irritues, ndërsa ngriti shqetësime edhe për veprimet e personave me rroba civile, të cilët, sipas saj, kanë marrë të rinj nga rruga dhe i kanë dërguar në komisariate.
“I kanë goditur, kanë përdorur shkopinj dhe gaz irritues. Por një nga shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut është veprimi i policëve civilë, të veshur me rroba të zakonshme, të cilët po sillen në mënyrë të ngjashme me rrëmbime, duke marrë nga rruga të mitur dhe studentë e duke i dërguar në komisariat”, deklaroi Koçeku.
Deputetja ngriti gjithashtu shqetësimin për rastet kur, sipas saj, personave të lënduar u është mohuar ndihma spitalore, edhe kur ata nuk kanë qenë pjesë e protestave.
“Kjo është jashtëzakonisht shqetësuese, sepse institucioni që pritet të na mbrojë po përdor të gjithë fuqinë e tij për të shtypur zërin, kërkesat dhe lirinë e këtyre të rinjve”, tha ajo.
Në intervistë, Koçeku theksoi se protestat janë shprehje e një pakënaqësie të akumuluar ndër vite dhe se brezi i ri po kërkon më shumë transparencë, përgjegjshmëri dhe ndryshim në mënyrën se si qeveria ndërvepron me qytetarët.
Intervista e plotë:
CNN:…Ju u zgjodhët deputete me Partinë Socialiste të Edi Ramës. Çfarë ju ka bërë të ktheheni kundër qeverisë së tij?
Marjana Koçeku: Faleminderit shumë për intervistën. Ka një vit që jam pjesë e politikës, si deputetja më e re në Parlament, dhe tre muaj më parë, pas dhjetë muajsh angazhim politik me Partinë Socialiste, vendosa të largohem nga ky grup parlamentar.
Kjo ndodhi veçanërisht pas nisjes në Tiranë të protestave të brezit Z, të njohura si Revolucioni i Flamingove, të cilat u përhapën edhe në diasporën shqiptare në mbarë botën. Kjo lëvizje më frymëzoi thellësisht, sepse kundërshtonte disa politika që ishin krejtësisht kundër natyrës, kundër shqiptarëve dhe kundër asaj që ata kërkonin. Për këtë arsye, të qenit pjesë e këtij grupi nuk përputhej më me parimet e mia dhe me identitetin tim si shqiptare, identitet që më është besuar të përfaqësoj në Parlament.
CNN: Sipas jush, çfarë po i zemëron kaq shumë njerëzit, saqë tani po dalin në rrugë në këtë mënyrë?
Marjana Koçeku: Ky zemërim është grumbullimi i një revolte shumëvjeçare, veçanërisht po të kemi parasysh largimin masiv të të rinjve nga vendi, sidomos gjatë dhjetë viteve të fundit. Kemi skandale të mëdha korrupsioni, të cilat, sipas institucioneve të drejtësisë, mund të arrijnë në rreth 7% të buxhetit të shtetit për këtë vit. Kemi skandalet e korrupsionit që përfshijnë kryetarë bashkish dhe zyrtarë të tjerë. Por ajo që ka rëndësi të veçantë është arroganca e jashtëzakonshme e partisë në pushtet dhe përqendrimi i pushtetit në duart e vetëm një personi, që në këtë rast është kryeministri Rama.
Prandaj, njerëzit, veçanërisht brezi i ri, po e ndryshojnë mënyrën se si duhet të jetë marrëdhënia mes qeverisë dhe qytetarëve shqiptarë. Jo më me arrogancë, jo më me një korrupsion të tillë dhe jo më me një mungesë kaq të thellë transparence.
CNN: Ju flisni për dhunën policore ndaj protestuesve, përfshirë të miturit. A mund të na tregoni më shumë për këtë dhe për atë që keni parë personalisht?
Marjana Koçeku: Kam qenë vazhdimisht pjesë e këtyre protestave që prej nisjes së tyre, katër ditë më parë, dhe e kam parë me sytë e mi dhunën që Policia e Shtetit ka ushtruar ndaj studentëve, veçanërisht ndaj të miturve.
I kanë goditur, kanë përdorur shkopinj dhe gaz irritues. Por një nga shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut është veprimi i policëve civilë, të veshur me rroba të zakonshme, të cilët po sillen në mënyrë të ngjashme me rrëmbime, duke marrë nga rruga të mitur dhe studentë e duke i dërguar në komisariat.
Kjo u ndodh shpesh edhe atyre që nuk janë pjesë e protestës. Madje, në shumë raste, atyre u mohohet edhe ndihma spitalore, pasi janë lënduar nga dhuna e ushtruar ndaj tyre. Kjo është jashtëzakonisht shqetësuese, sepse institucioni që pritet të na mbrojë po përdor të gjithë fuqinë e tij për të shtypur zërin, kërkesat dhe lirinë e këtyre të rinjve.
