Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka dënuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama ndaj televizionit News24, duke i cilësuar ato shqetësuese për lirinë dhe pavarësinë e medias.

Reagimi vjen pas akuzave të kreut të qeverisë ndaj televizionit, si dhe pretendimeve për lidhje të raportimit të tij me përpjekjet për rrëzimin e qeverisë.

AGSH thekson se asnjë media nuk duhet të trajtohet si armike e qeverisë për shkak të linjës editoriale apo raportimit kritik. Asociacioni nënvizon se çdo pretendim nuk duhet të përdoret si argument në përplasjet politike. Në deklaratën e saj, AGSH i bën thirrje kryeministrit të shmangë gjuhën stigmatizuese ndaj mediave dhe të respektojë pavarësinë editoriale të tyre.

Njoftimi i AGSH-së

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shpreh shqetësim për deklaratat e kryeministrit Edi Rama ndaj televizionit Neës24, gjatë komunikimit publik të së dielës, 18 tetor 2026.

Në deklaratën e tij, kryeministri akuzoi News24 për evazion fiskal në vlera prej miliona eurosh, pretendoi se ai gëzon imunitet nga Prokuroria e Tiranës dhe e akuzoi televizionin se është vënë në funksion të rrëzimit të qeverisë. Kryeministri iu referua gjithashtu një mesazhi që pretendoi se kishte marrë nga një kameraman i televizionit, lidhur me mospagimin e sigurimeve shoqërore dhe vonesat në dhënien e pagave.

AGSH vlerëson se përdorimi i një komunikimi zyrtar nga kreu i qeverisë për të artikuluar akuza të rënda ndaj një mediaje dhe pronarit të saj, duke e lidhur drejtpërdrejt veprimtarinë editoriale me interesa politike dhe pretendime për shkelje penale, është një praktikë shqetësuese që rrezikon të cenojë lirinë dhe pavarësinë e medias.

Asnjë media nuk duhet të konsiderohet armike e qeverisë për shkak të linjës së saj editoriale, raportimit kritik apo hapësirës që u jep zërave kundërshtarë. Kritika ndaj qeverisë, përfshirë raportimin mbi protestat dhe pakënaqësitë qytetare, është pjesë thelbësore e rolit të medias në një shoqëri demokratike dhe nuk mund të paraqitet automatikisht si nxitje e dhunës apo përpjekje për destabilizim politik.

AGSH thekson se çdo pretendim për evazion fiskal, shkelje të legjislacionit të punës apo mospagim të kontributeve shoqërore duhet të trajtohet nga institucionet kompetente, në përputhje me ligjin dhe duke respektuar prezumimin e pafajësisë. Përgjegjësia për hetimin dhe përcaktimin e shkeljeve të mundshme nuk u takon deklaratave politike, por institucioneve të pavarura.

Njëkohësisht, AGSH rithekson se respektimi i të drejtave të punonjësve të medias, përfshirë pagesat e rregullta dhe sigurimet shoqërore, është detyrim ligjor për çdo punëdhënës.

\Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë i bën thirrje kryeministrit Edi Rama të shmangë gjuhën stigmatizuese dhe akuzat e përgjithësuara ndaj mediave, të respektojë pavarësinë editoriale dhe të garantojë një klimë në të cilën gazetarët mund të ushtrojnë profesionin pa presion politik.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: