3 të dhëna përbëjnë një fakt, fakt është që Jose Mourinho ka rikthyer më në fund Real Madrid në shina. Ndaj Sevilla-s, Reali siguroi fitoren e 3-të radhazi mes La Liga-s dhe Champions, për më tepër një fitore me poker golash duke i lëshuar një sinjal të qartë Barcelonës në prag të “El Clasico”.
Arda Guler zhbllokoi sfidën në minutën e 30-të me një goditje shumë të bukur, ndërsa 7-të minuta më vonë, Kylian Mbappe realizoi një gol spektakolar duke dyfishuar shifrat. “Gjeli” francez ishte i papërmbajtshëm në këtë sfidë ku në minutën e 63-të ekzekutoi një penallti perfekte duke kompletuar “dopjetën” e tij personale dhe golin e tretë për Real Madrid. Sevilla u përpoq të rikthehej në lojë duke ngushtuar shifrat me Bueno-n në minutën e 80-të, por vetëm kaq pasi dy minuta më vonë, Diomande me një predhë të vërtetë sigloi shifrat përfundimtare në 4-1.
Falë këtij suksesi, Real Madrid ruan diferencën për 6 pikësh me Barcelonën kryesuese duke bërë që tifozët të presin me padurim “El Clasico” në një kohë kur ekipi i Hansi Flick është thjesht i papërmbajtshëm këtë sezon ku ndaj Betis siguruan fitoren e 9 në 9 javë në La Liga.
Pas ndeshjes, Jose Mourinho u shfaq i kënaqur me suksesin që arriti ekipi i tij: “Dominuam kundër një formacioni të mirë, zhvilluam një futboll të bukur. Kjo ishte një fitore e bukur”, u shpreh Jose Mourinho.
