Në një deklaratë të përbashkët të publikuar më 19 tetor 2026 në Bruksel, përfaqësues të Parlamentit Evropian shprehën shqetësimin e thellë për zhvillimet e fundit në Shqipëri, veçanërisht në Tiranë, ku protestat janë shoqëruar me episode dhune dhe përplasje.
Në emër të Delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Shqipërinë (D-AL) dhe në cilësinë e raportuesit të përhershëm për Shqipërinë, ata dënuan përshkallëzimin e dhunshëm të protestave, sulmet ndaj institucioneve publike dhe dëmtimin e pronës publike e private.
Në deklaratë, protestuesve u bëhet thirrje të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin çdo akt dhune, duke theksuar se veprime të tilla nuk ndihmojnë në zgjidhjen e problematikave dhe nuk kanë vend në një shoqëri demokratike.
Megjithatë, përfaqësuesit evropianë shprehën gjithashtu shqetësim serioz për raportimet mbi përdorimin e tepruar të forcës policore ndaj protestuesve.
Ata u kërkuan autoriteteve të tregojnë përmbajtje dhe organeve kompetente të hetojnë incidentet për të përcaktuar përgjegjësinë individuale për çdo akt dhune, përfshirë rastet e mundshme të përdorimit të tepruar të forcës.
Një pjesë e rëndësishme e deklaratës i kushtohet të drejtës për protestë paqësore dhe lirisë së shprehjes. Sipas përfaqësuesve të Parlamentit Evropian, këto të drejta mbrohen nga Karta e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Ata nënvizojnë se të rinjtë kanë të drejtë të shprehin pikëpamjet e tyre, veçanërisht për çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e tyre, dhe u bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare të garantojnë ushtrimin e lirë të së drejtës për tubim dhe protestë paqësore.
Në përfundim, përfaqësuesit evropianë kërkojnë një dialog paqësor, konstruktiv dhe të sinqertë mes të gjitha palëve, me synimin për të adresuar shqetësimet e protestuesve në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe standardet evropiane.
“Respekti për sundimin e ligjit mbetet kriteri kryesor dhe kushti i detyrueshëm për përparimin e Shqipërisë në rrugën e saj të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, theksohet në deklaratë.
