Pushteti është një gjë e mrekullueshme. Ai mund ta bëjë një njeri njëkohësisht qesharak dhe të rrezikshëm. Mund ta kthejë një mbrojtës të lirisë në admirues të shkopit të gomës, një kundërshtar të dhunës policore në komandant të policisë dhe një demokrat të flaktë në një udhëheqës që mendon se largimi i tij nga pushteti do të ishte fatkeqësi kombëtare.

Për këtë nuk ka nevojë të studiohen diktaturat e botës. Mjafton të lexosh librin Refleksione të Edi Ramës, botuar në vitin 1991, dhe pastaj të dëgjosh fjalimin që ai mbajti përpara drejtuesve të Policisë së Shtetit.

Në librin e parë flet një djalë i ri që kërkon liri. Në fjalimin e dytë flet një kryeministër që kërkon t’ia mbrojë pushtetin policia. Të dy mbajnë të njëjtin emër. Madje, shqiptaret e dine, janë edhe i njëjti person.

Në vitin 1991, Edi Rama ishte një pedagog i ri që mbështeste revoltën studentore. Ai i shkruante një letër të hapur Ramiz Alisë dhe i kërkonte të dëgjonte qytetarët, të ndalonte frikësimin e tyre dhe të pranonte se vendi kishte nevojë për ndryshim. E akuzonte udhëheqjen komuniste për arrogancë, për shtypje të mendimit ndryshe dhe për përdorimin e policisë kundër popullit.

Në vitin 2026, Edi Rama doli përpara policisë me një gur në dorë dhe mbajti një fjalim kundër studentëve që protestojnë për largimin e qeverisë së tij. Protestuesit, sipas tij, qenkan të verbuar, të ekstremizuar, të paditur, të manipuluar nga armiqtë e Shqipërisë dhe të paaftë për të lidhur shtatë fjalë bashkë.

Me sa duket, kur Edi Rama ishte student, rinia kishte të drejtë të kërkonte largimin e udhëheqësit. Kur Edi Rama u bë udhëheqës, rinia e humbi këtë të drejtë.

Në fakt, kryeministri nuk ka ndryshuar shumë. Ai vazhdon të jetë revolucionar. Vetëm se tani revolucioni i tij ka për detyrë të ruajë qeverinë nga revolucionarët e tjerë.

Dikur, Ramiz Alia perballe studentëve që kërkonin demokraci, kishte dhe një aparat shtetëror që duhej të mbronte pushtetin. Sot, Edi Rama ka studentë që kërkojnë largimin e tij dhe një aparat shtetëror që duhet të mbrojë rendin. Krahasimi nuk i bën regjimet identike, por nxjerr në pah një zakon të vjetër të udhëheqësve shqiptarë: sapo njerëzit kërkojnë largimin e tyre, pakënaqësia e qytetarëve fillon t’u duket komplot kundër shtetit.

Edi Rama i ri e urrente këtë arsyetim. Edi Rama kryeministër e ka përvetësuar aq mirë, sa tani mund t’ua japë mësim edhe të tjerëve.

Por nuk është Edi Rama shqiptari i parë që e ka ngatërruar fatin e vendit me fatin e karriges së tij. Përpara tij ishte Sali Berisha.

Në vitin 1997, kur Shqipëria u përfshi nga revolta pas shembjes së firmave piramidale, Sali Berisha zgjodhi të ruante pushtetin edhe përballë një vendi që po shkonte drejt katastrofës. Gjatë krizës, shteti u shpërbë, depot e armëve u hapën, mijëra armë ranë në duart e qytetarëve dhe vendi u zhyt në dhunë. Berisha mbante përgjegjësi politike si president i Republikës për mënyrën si u administrua ajo krizë.

Ai nuk pranonte ta kuptonte se një vend mund të vazhdonte të ekzistonte edhe pa Sali Berishën president.

Sot, Edi Rama nuk është në situatën e vitit 1997 dhe Shqipëria nuk ndodhet përpara së njëjtës katastrofë. Por në fjalimin e tij dëgjohet një arsyetim i njohur: ata që kërkojnë largimin e udhëheqësit kërcënojnë shtetin, ata që protestojnë kundër tij u shërbejnë armiqve të Shqipërisë dhe ata që kërkojnë ndryshim po rrezikojnë të ardhmen e vendit.

Berisha më 1997 e trajtoi mbijetesën e pushtetit të tij si çështje kombëtare. Rama sot e paraqet qëndrimin e tij deri në vitin 2029 si një detyrim që qytetarët duhet ta pranojnë, pavarësisht protestave.

Sigurisht, ka një ndryshim midis tyre. Berisha kishte armiq të brendshëm. Rama ka edhe armiq ndërkombëtarë. Në protestat kundër qeverisë së tij ai ka zbuluar ANTIFA-n, Rusinë, Iranin, shërbimet e huaja dhe një ushtri të tërë njerëzish që, për ndonjë arsye të pashpjegueshme, qenkan bashkuar për t’i hequr Edi Ramës të drejtën të qeverisë shqiptarët.

Është për t’u habitur se sa shumë armiq ka Shqipëria dhe sa pak prej tyre merren me ndonjë gjë tjetër përveç Edi Ramës.

Por pjesa më shqetësuese e fjalimit nuk ishte as guri që kryeministri mbante në dorë, as lista e gjatë e armiqve. Ishin paralajmërimet për ndëshkimin e studentëve, prindërve dhe mësuesve.

Kryeministri deklaroi se studentët që përfshihen në dhunë nuk do të përfitojnë bursa, mbështetje financiare apo arsim falas. Prindërit e të miturve i paralajmëroi se do të paguajnë dëmet. Mësuesve të akuzuar se kanë nxitur vandalizmin u premtoi se nuk do të punojnë më në shtet.

Të gjitha këto i shpalli përpara drejtuesve të policisë, sikur një kryeministër të kishte të drejtën të vendoste vetë dënimet, të zëvendësonte gjykatat dhe të përcaktonte se cilët qytetarë meritojnë të përfitojnë nga shërbimet publike.

Pastaj u kujtua se është demokrat dhe foli për dialogun.

Ky është një përmirësim i dukshëm në historinë e qeverisjes shqiptare. Dikur udhëheqësit i kërcënonin kundërshtarët dhe nuk flisnin për dialog. Tani udhëheqësi i kërcënon kundërshtarët dhe pastaj i fton për dialog. Demokracia ka bërë përparime.

Natyrisht, askush nuk ka të drejtë të qëllojë policët me gurë apo të djegë pronën publike dhe private. Për këto ka ligje, ka hetime dhe ka gjykata. Por njësoj siç nuk mund të justifikohet dhuna e protestuesve, nuk mund të justifikohet as ndëshkimi kolektiv, kërcënimi i studentëve apo trajtimi i çdo qytetari që ndodhet pranë një proteste të dhunshme si objekt i ligjshëm i ndërhyrjes policore.

Rama nuk bëri ndonjë dallim të madh kur deklaroi se kush qëndron pranë një protestuesi të dhunshëm është po aq shënjestër e policisë sa edhe ai që kryen dhunën.

Në vitin 1991, një fjali e tillë, e thënë nga Ramiz Alia, do ta kishte revoltuar pedagogun Edi Rama. Ndoshta do të kishte shkruar një tjetër letër të hapur. Sot, meqë fjalia del nga goja e kryeministrit Edi Rama, ai e konsideron mbrojtje të shtetit demokratik.

Dhe ja ku shfaqet pushteti në dy cilësitë e tij më të shëmtuara: e bën njeriun qesharak kur pretendon se vetëm ai ka të drejtë, dhe të rrezikshëm kur kërkon që policia ta trajtojë kundërshtimin politik si kërcënim.

Sali Berisha e tregoi në vitin 1997 se deri ku mund të shkojë një udhëheqës që nuk pranon të humbasë pushtetin. Edi Rama, me fjalimin e tij, na kujton se Shqipëria vazhdon të ketë politikanë që e shohin dorëheqjen si një padrejtësi ndaj vetes dhe protestën si një padrejtësi ndaj kombit.

Sali Berisha dhe Edi Rama mund të urrejnë njëri-tjetrin sa të duan. Por kanë diçka që i bashkon: bindjen se shteti është më i sigurt kur drejtohet prej tyre dhe se qytetarët që kërkojnë ndryshe nuk e kuptojnë rrezikun që po i sjellin Shqipërisë.

Do të ishte mirë që Edi Rama të gjente pak kohë për të rilexuar letrën e tij të hapur të vitit 1991. Atëherë ai shkruante kundër arrogancës së udhëheqësve, kundër frikësimit të qytetarëve dhe për të drejtën e studentëve që të kërkonin ndryshimin e pushtetit.

Nëse një student do ta lexonte sot atë letër përpara Kryeministrisë, ka shumë mundësi që Rama të mos e njihte autorin. Ndoshta do ta quante ekstremist, të manipuluar nga rrjetet sociale, njeri pa shkollë, që nuk kupton se Shqipëria po hyn në Bashkimin Europian.

Mund edhe t’i kërkonte policisë të verifikonte nëse ai studenti kishte lidhje me ANTIFA-n.

Pastaj dikush do t’i tregonte kopertinën e librit Refleksione.

Në të do të shihte emrin e vet.

Dhe ndoshta, për një çast, do ta kuptonte se sa keq mund të përfundojë një njeri që gjithë jetën lufton për një karrige, derisa arrin të ketë më shumë frikë nga një student sesa nga turpi i vet.

Në vitin 1991, Edi Rama i kërkonte Ramiz Alisë të dëgjonte studentët. Në vitin 2026, Edi Rama i kërkon policisë të qëndrojë e fortë përballë tyre.

Ramiz Alia nuk është më. Sali Berisha vazhdon të jetë aty. Edi Rama është kryeministër.

Studentët vazhdojnë të dalin në rrugë.

Vetëm udhëheqësit nuk mësojnë asgjë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb