Gjilani dhe Malisheva kanë shënuar fitore në ndeshjet e së dielës, të vlefshme për xhiron e dhjetë të AlbiMall Superligës së Kosovës në futboll.

Gjilani ka marrë tri pikë shumë të rëndësishme ndaj Feronikelit 74, duke fituar 1:0 në një ndeshje me raste të shumta shënimi nga të dyja skuadrat.

Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 99-të, kur Lorik Dobratiqi preku topin me dorë brenda zonës, duke shkaktuar penallti. Nga pika e bardhë, kapiteni Armend Thaqi ishte i saktë, duke i siguruar Gjilanit tri pikë të rëndësishme.

Me këtë fitore, Gjilani arrin në kuotën e 17 pikëve pas dhjetë ndeshjeve dhe renditet në vendin e tretë. Me pikë të njëjta është edhe Drita në pozitën e katërt, por me një ndeshje më pak.

Në anën tjetër, Feronikeli 74 mbetet me tetë pikë në vendin e tetë.

Malisheva është kthyer te fitorja, duke e mposhtur Vushtrrinë me rezultat 2:1 në stadiumin “Liman Gegaj”.

Mysafirët kaluan në epërsi në minutën e 12-të me golin e Lis Demirit, por vendasit reaguan shpejt. Vetëm pesë minuta më vonë, Laurent Xhylani barazoi shifrat në 1:1.

Përmbysjen e plotë dhe golin e fitores për Malishevën e realizoi Valmir Nafiu në minutën e 26-të, duke vulosur rezultatin përfundimtar 2:1.

Kjo ishte fitorja e shtatë e Malishevës në dhjetë ndeshje, krahas dy barazimeve dhe një humbjeje. Me 23 pikë, Malisheva kryeson tabelën e AlbiMall Superligës.

Vushtrria, ndërkaq, pësoi humbjen e nëntë të edicionit dhe mbetet në vendin e fundit me vetëm tri pikë.

Xhiroja e dhjetë do të përmbyllet të hënën me dy përballje. Ballkani pret Prishtinën në Suharekë nga ora 14:00, ndërsa Dukagjini dhe Drenica përballen nga ora 18:00.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb