Mobilizimi mbarëkombëtar në këtë ditë të shtatë të protestave masive ka marrë një mbështetje të fuqishme politike dhe intelektuale nga jashtë vendit. Deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj, si dhe dhjetëra akademikë e hulumtues shqiptarë që punojnë në universitetet më prestigjioze ndërkombëtare, i janë bashkuar zërit të rinisë duke kërkuar llogaridhënie të menjëhershme nga qeveria.

Në një reagim publik, deputeti i PD-së, Bujar Leskaj, deklaroi se rinia shqiptare po tregon një kurajë të jashtëzakonshme përballe dhunës dhe arrogancës shtetërore. Ai theksoi se përpjekjet e pushtetit për të mbjellë panik kanë dështuar dhe se e ardhmja i përket studentëve që nuk pranojnë më shtypjen dhe korrupsionin galopant.

Përmes një deklaratë të përbashkët rrufeshme, akademikët dhe hulumtuesit shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit kanë konfirmuar solidaritetin e tyre të palëkundur me studentët. Aty nënvizohet se asnjë familje shqiptare nuk duhet të presë me frikë se çfarë po i ndodh fëmijës së saj në rrugët e Tiranës nga ndërhyrjet e policisë.

*”Ne, akademikë dhe hulumtues shqiptarë jashtë vendit, rikonfirmojmë solidaritetin tonë me studentët dhe qytetarët që protestojnë për një Shqipëri më demokratike. Asnjë familje nuk duhet të presë me frikë kthimin në shtëpi të një të riu që ka dalë në protestë për të kërkuar të ardhmen.

Paqja shoqërore nuk është thjesht mungesa e protestave apo e konfrontimeve. Ajo kërkon drejtësi, institucione që dëgjojnë dhe mundësi reale. Pamjet e përdorimit të forcës kërkojnë shqyrtim serioz, të pavarur dhe transparent, duke vlerësuar përgjegjësitë e drejtuesve. Të rinjve u detyrohemi një Shqipëri ku të mund të kërkojnë ndryshim pa frikë”, thuhet në deklaratën e publikuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb