Ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji, në një prononcim për News24 tha se kryeministri Edi Rama sot është i izoluar, pasi askush nuk bashkëpunon me të.

Salianji tha se kryeministri është në “Dimrin e Madh”. Sipas tij, revolta e ka zhveshur Ramën nga legjitimiteti. Salianji theksoi se kreu i qeverisë do të përfundojë në koshin e historisë.

“Qytetarët po bëjnë që Rama të jetë në Dimrin e Vetmisë së Madhe, të jetë i përçarë brenda babzisë dhe tanimë i përçmuar nga ndërkombëtarët. Revolta e ka zhvehur Ramën nga legjitimiteti. Populli nuk e duron më Ramën si kryeministër dhe bën të tilla veprime, që ndjek kalamajt nëpër rrugica. Do përfundojë në koshin e historisë, si njeri që po ia merr frymën shoqërisë. Policia vetëm ushtron dhunë, që është dhunë joproporcionale”, tha Salianji.

Për Salianjin, Rama dhe Berisha mbrojnë njëri-tjetrin, pasi bashkëpunojnë kundër interesave të shqiptarëve.

“Këtu kemi Sali Berishën dhe Edi Ramën që mbrojnë njëri-tjetrin. Edi Rama ikën vetëm me revoltë. Vetëm me revoltë dhe protesta ikën Rama. Vetëm me ndërgjegjësim shqiptarët hyjnë në Bashkimin Europian. Kemi dy autokratë, një në qeveri dhe një në opozitë”, u shpreh Salianji.

Në lidhje me shpërblimet ndaj policëve, Salianji deklaroi se kryeministri Rama i ka mbajtur efektivët në kushte mjerane dhe se vetëm sot që i nevojiten për karrigen e tij, vendos t’i shpërblejë.

“Edi Rama e ka trajtuar si mos më keq Policinë e Shtetit. Sot, që po i rrezikohet karrigia jep shpërblim. Jep shpërblime vetëm për interesa të vetat. Rama e ka marrë tatëpjetën dhe besoj se qytetarët do ia dalin që ta shporrin. Qytetarët kanë marrë sovranitetin në dorë dhe Rama nuk dihet se ku është”, nënvizoi Salianji.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb