Kryetari i Këshillit Atlantik të Shqipërisë, Arian Starova, i ka drejtuar një letër publike urgjente Ambasadorit të SHBA-së, David J. Wendt, duke kërkuar një ndërhyrje më aktive diplomatike nga Uashingtoni për të parandaluar një përshkallëzim me pasoja katastrofike për vendin.

Përmes këtij apeli publik, Starova thekson se revolta popullore e udhëhequr nga rinia shqiptare po përballet me një regjimi të korruptuar, ndërsa paralajmëron se mungesa e një veprimi të prerë ndërkombëtar mund ta çojë Shqipërinë drejt përplasjeve civile dhe të dëmtojë sigurinë e një vendi aleat të NATO-s.

Letra Publike e Arian Starovës (Këshilli Atlantik i Shqipërisë):

“I nderuar Ambasador Wendt!

Duke respektuar plotësisht statusin tuaj zyrtar diplomatik, më lejoni t’ju tërheq vëmendjen mbi disa çështje shumë të ndjeshme me të cilat po përballet vendi im në këto çaste.

Para së gjithash, do të doja të kujtoja se vendi që ju përfaqësoni në Tiranë, SHBA-ja e bekuar nga Zoti për ne shqiptarët kudo që jemi, ka qenë Shpëtimtari i Madh për ne të paktën tri herë gjatë historisë sonë të afërt: në 1912 (Pavarësia e Shqipërisë), në 1991 (përmbysja e regjimit komunist) dhe në 1999 (çlirimi i Kosovës).

Këto ditë, shqiptarët janë ngritur në revoltë kundër qeverisë së Kryeministrit Edi Rama, me Rininë Shqiptare në ballë.

Duke marrë parasysh prioritetet e Administratës Trump kundër narko-aktiviteteve, korrupsionit qeveritar dhe regjimeve diktatoriale neo-komuniste siç është ai aktual shqiptar, do t’ju kërkoja me shumë përunjësi një rol më aktiv tuajin për të ndihmuar Shqipërinë që ta kapërcejë këtë situatë shumë të rrezikshme, e cila mund të rrëshqasë edhe drejt përplasjeve civile, ose më keq (duke dëmtuar sigurinë tonë si vend aleat i NATO-s).

Argumentet janë tashmë aty dhe nuk ka nevojë t’u drejtohemi atyre, pasi vendi juaj i njeh shumë më mirë se unë.

Duke e marrë si të mirëqenë mirëkuptimin tuaj për këtë kërkesë publike,

Arian Starova

President i Këshillit Atlantik të Shqipërisë

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb