Katërmbëdhjetë persona kanë humbur jetën dhe shtatë të tjerë janë plagosur si pasojë e një rrëshqitjeje dheu që shkaktoi shembjen e galerive në një minierë të paligjshme ari në jugperëndim të Kolumbisë.

Aksidenti i rëndë ndodhi në zonën El Chambero, në komunën e Santa Bárbara de Iscuandé, në departamentin e Nariños. Sipas autoriteteve lokale, rrëshqitja e dheut çoi në shembjen e tuneleve të minierës, duke bllokuar punëtorët që ndodheshin brenda saj.

Fillimisht, raportimet flisnin për të paktën nëntë viktima, por bilanci u rrit në 14 të vdekur dhe shtatë të plagosur pas vlerësimit të situatës nga autoritetet.

Prefekti i Nariños, Luis Alfonso Escobar, njoftoi të hënën, më 19 tetor, se operacionet e kërkim-shpëtimit kishin përfunduar.

Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme mbi rrethanat e sakta të aksidentit. Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te rreziqet që lidhen me shfrytëzimin e minierave të paligjshme, ku mungesa e masave të sigurisë mund të vërë në rrezik jetën e punëtorëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb