Ernest Muçi vazhdon të konfirmojë formën e tij të shkëlqyer sa herë përballet me Beshiktashin, skuadrën që e afroi në futbollin turk, por që nuk i besoi plotësisht potencialit të tij. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, që la gjurmë në ndeshjet e Ligës së Kombeve me ekipin tone përfaqësues, ishte sërish protagonist në kampionatin turk, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në fitoren 2-0 të Trabzonsporit.
Momenti vendimtar erdhi në minutën e 21-të, kur Muçi dhuroi një aksion spektakolar. Pas një driblimi të jashtëzakonshëm, futbollisti shqiptar provoi të dërgonte topin në rrjetë, por u ndal nga ndërhyrja e portierit kundërshtar. Megjithatë, Tufan ishte në vendin e duhur dhe përfitoi nga rasti për të shënuar golin e avantazhit për Trabzonsporin.
Në pjesën e dytë, vendasit gjetën edhe golin e dytë me Salah, duke vulosur një fitore të rëndësishme në garën për pozitat e larta të renditjes.
Ky sukses merr një vlerë të veçantë për Trabzonsporin, që falë tri pikëve të fituara parakalon pikërisht Beshiktashin dhe ngjitet në vendin e katërt të kampionatit turk. Skuadra ku aktivizohet Ernest Muçi mbetet tashmë vetëm tri pikë larg Gallatasarajt kryesues, duke mbajtur të hapur garën në majën e tabelës.
Sulmuesi kuqezi ishte protagonist i një takimi mjaft të mirë, por i mungoi vetëm goli ndërsa pas tij ai doli përpara gazetarëve për të komentuar tri pikët.
“Për ne ishte një fitore me rëndësi sepse Beshiktashi është një rival i fortë. Jam i lumtur që arritëm të fitonim përpara tifozëve tanë”, tha Muçi, i cili ka përpara se të transferohej në Trabzon ka mbrojtur ngjyrat e Beshiktashit.
