Profesori i Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Maksim Meço, i cili pretendon se u godit nga një plumb gome i policisë gjatë protestës pranë Kryeministrisë, i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të largohet nga detyra.

Nga protesta para Kryeministrisë, Meço tregoi se tri ditë më parë ishte goditur teksa ndodhej në trotuar, në mbështetje të studentëve. Ai tha se ishte dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak dhe se, për fat të mirë, kishte shpëtuar syrin. Profesori paralajmëroi se do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore, duke e cilësuar ngjarjen si dhunë. Meço kundërshtoi gjithashtu ftesën e qeverisë për dialog, duke deklaruar se protestuesit kanë qëndruar prej 140 ditësh në shesh dhe se, sipas tij, Rama nuk mund t’u japë më zgjidhje problemeve të vendit. Ai tha se kërkesa e të rinjve është të jetojnë me dinjitet dhe në paqe në Shqipëri.

“Para tri ditësh jam goditur me plumb gome nga policia. Kam shkuar me urgjencë në Ushtarak, për fat të mirë që syri ka shpëtuar. Isha në trotuar, në mbështetje të studentëve të mi afër Kryeministrisë. Më goditën me shkop gome, se di nga më erdhi plumbi. Di që atë ditë isha në gjendje të vështirë. Personin nuk e njoh, por dua ta kallëzoj si dhunë ndaj drejtuesve të policisë, do ta ndjek në rrugë ligjore.

Të largohet sa më parë Rama. T’i hapë rrugën paqes. Shqiptarët kanë marrë një vendim dhe duan që të jetojnë në paqe. Dialogun nuk e pranojmë. Kemi qenë këtu prej 140 ditësh. Ai nuk mund t’i zgjidhë më problemet. Kemi një administratë të paaftë, ministra afër dyerve të drejtësisë. Njerëz të paaftë.

Çfarë po kërkon rinia sot? Paqe sociale. Duan të jetojnë me dinjitet në vendin tonë. Është fatkeqësi që rinia largohet nga ky vend i mrekullueshëm. Nuk na lidh gjë më me Edi Ramën. Kontratën me të e kemi zgjidhur. T’i harrojë ato 800 mijë votat. E dimë si i ka marrë ato vota. Larg duart nga studentët. Sot jemi ne dhe do të jemi këtu, derisa të largohet. Largohu, se nuk është turp të largohesh që vendi të jetojë me dinjitet!”, tha ai për News24.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: