Një aksident automobilistik është regjistruar pak minuta më parë në hyrje të bypass-it Mbrostar–Levan, pranë rrethrrotullimit të Spitalit Memorial Turk në Fier.

Sipas burimeve nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, në aksident janë përfshirë një betoniere dhe një automjet transporti, të cilat janë përplasur me njëra-tjetrën. Si pasojë e përplasjes, betonierja ka dalë nga rruga.

Nga aksidenti ka mbetur i dëmtuar njëri prej drejtuesve të mjeteve, i cili ka pësuar frakturë në krah. Ai është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal Fier, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Sipas informacionit paraprak, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e aksidentit ka mbërritur patrulla e Policisë, e cila ka ndërhyrë për menaxhimin e trafikut, pasi përplasja shkaktoi vështirësi në qarkullimin e automjeteve.

Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar shkakun e përplasjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: