Kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, i është bashkuar protestuesve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga ku ka dhënë një lidhje të drejtpërdrejtë për News24. Ai ka dënuar ashpër ndërhyrjen e policisë ndaj protestuesve paqësorë, duke e bërë kryeministrin Edi Rama drejtpërdrejt përgjegjës për urdhërimin e përdorimit të forcës.

Gjatë intervistës në terren, Shehaj nënvizoi se dhuna shtetërore është një akt paniku nga ana e ekzekutivit përballë një lëvizjeje rinore që nuk po kontrollhet dot më politikisht.

Lideri i partisë “Mundësia” deklaroi se protestuesit nuk provokuan asnjë akt dhune përpara se trupat e policisë të ndërhynin për t’i shpërndarë:

“Sot Edi Rama dha urdhër që të shpërndajë një protestë paqësore. Ne ishim këtu, nuk gjuajti askush me gurë, nuk pati asnjë akt dhune, por në një moment të caktuar kur e pa që po mblidheshin shumë, filloi t’i shtynte dhe t’i largonte me dhunë. Përse? Sepse do të ndalë protestën, sepse do të ndalë ndryshimin, sepse do të ndalë të rinjtë.”

Shehaj theksoi se vendimmarrja për ndërhyrje operacionale vjen drejtpërdrejt nga kreu i qeverisë, i cili sipas tij po përpiqet të ruajë pushtetin me çdo kusht: “Është Edi Rama që drejton policinë, është Edi Rama që drejton personalisht dhunën kundër protestuesve, mendon se me dhunë do t’ia dalë. I ka bërë llogaritë gabim, sepse kjo rini ka një kurajo të jashtëzakonshme, ka një dëshirë dhe një këmbëngulje që askush nuk e ka parë në këto 30 vitet e fundit.”

Në lidhje me vendimin e pedagogëve për të ndërprerë mësimin dhe për t’u solidarizuar me bojkotin e studentëve, Shehaj kërkoi që trupa akademike të mos mjaftohet me deklarata, por të qëndrojë fizikisht në shesh pranë të rinjve:

“Nuk duhet thjesht të solidarizohen me studentët, duhet të jenë aty bashkë me studentët. Shumë mirë bënë që i u bashkuan sot. Duhet t’i bashkohen jo vetëm në mëngjes, por gjatë gjithë ditës, çdo ditë derisa Edi Rama të largohet.”

Sipas tij, forca e kësaj proteste qëndron te faktori qytetar dhe jopartiak: “Kjo protestë nuk është një protestë partiake. Nuk është me militantë të cilët janë këtu dhe kërkojnë një vend pune. Janë këtu sepse duan të ndryshojnë Shqipërinë, sepse duan të rrëzojnë një klasë politike të korruptuar që ua ka bërë jetën të pamundur prindërve të tyre. Edi Rama do të detyrohet të largohet dhe duhet të japë dorëheqjen sa më shpejt, pa kushte.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb