E ftuar në emisionin Prime News24, gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje të rënda lidhur me mënyrën se si pushteti po organizon mbrojtjen e selisë së PS dhe godinave qeveritare gjatë protestave masive në kryeqytet.
Sipas gazetares, përdorimi i njësive elitare si RENEA dhe prania e zyrtarëve publikë të pajisur me sende të forta brenda institucioneve dëshmon një dështim të plotë të mekanizmave ligjorë të shtetit.
Lala solli në vëmendje incidentin e ndodhur dy ditë më parë pranë selisë së partisë në pushtet, ku ndërhyrja ndaj protestuesve nuk u bë vetëm nga policia, por nga vetë punonjësit e administratës:
“Ka pasur një episod te selia e PS. Dy ditë më parë protestuesit shkuan atje afër te selia vetem me disa gurë. Nga brenda selisë së PS, që është partia qeverisëse dhe Rama kryetar i saj, dolën zyrtarë vendorë të pajisur me shkopinj. Pra, një qeveri që nuk ka besim te organet e zbatimit të ligjit dhe te policia e saj, e ruan selinë e vet me forcë paralele.”
Ajo theksoi se kjo skemë po zbatohet edhe në godinat zyrtare: “Nga selia dolën disa zyrtarë që paguhen nga taksat tona dhe nisën të përplasen me protestuesit, ishte një situatë skandaloze. E njëjta ndodhi në Ministrinë e Brendshme, por edhe në institucione të tjera. Kemi informacion se brenda qëndrojnë zyrtarë të pajisur me shkopinj apo mjete të forta, të cilët mund të përplasen fizikisht nëse protestuesit futen brenda.”
Gazetarja nënvizoi se pushteti po përpiqet të krijojë një imazh negativ për lëvizjen rinore për të arsyetuar përdorimin e forcës:
“Pushteti ka përdorur narrativën se protestuesit janë barbarët dhe njerëzit e këqinj. Në fakt, u tregua para shqiptarëve se kjo qeverisje ka dështuar.”
Lala e cilësoi mjaft alarmante praninë e repartit special RENEA në rrugët e Tiranës për përballimin e demonstratave civile: “Kjo situatë është jashtëzakonisht e rëndë kur kryeministri nxjerr në terren forcën elitare RENEA — një repart që ndërhyn vetëm në raste të jashtëzakonshme të krimit të organizuar apo terrorizmit për t’u përballur me protestuesit në rrugë.”
