Artisti Robert Aliaj ka reaguar ashpër ndaj dhunës së pretenduar policore gjatë protestave në Tiranë, duke akuzuar efektivët e Policisë së Shtetit dhe RENEA-s për ushtrim dhune ndaj të miturve, gjimnazistëve, studentëve dhe qytetarëve të tjerë.

Përmes një reagimi publik, Aliaj u është drejtuar drejtpërdrejt punonjësve të policisë, duke i akuzuar se kanë kthyer uniformën dhe institucionet shtetërore në instrumente dhune ndaj qytetarëve që protestojnë. Ai ka ngritur një sërë pyetjesh për përgjegjësinë morale të efektivëve dhe familjarëve të tyre, duke kërkuar që ata të mos heshtin përballë veprimeve që ai i cilëson kriminale.

“A keni familje? A keni fëmijë? A keni ju gra?”, shprehet artisti, ndërsa kritikon ashpër edhe familjarët e punonjësve të policisë që, sipas tij, zgjedhin të heshtin përballë dhunës ndaj të rinjve.

Në reagimin e tij, Robert Aliaj ka shënjestruar edhe kryeministrin Edi Rama, të cilin e bën përgjegjës për mënyrën se si po veprojnë forcat e policisë gjatë protestave. Ai e akuzon kreun e qeverisë se mbron dhe shpërblen efektivët që, sipas tij, ushtrojnë dhunë ndaj protestuesve.

“Ti që e ke kthyer shtetin në një instrument plaçkitjeje dhe policinë e shtetit në ushtrinë tënde private”, shkruan Aliaj në mesazhin drejtuar kryeministrit.

Artisti paralajmëron gjithashtu se përgjegjësia për veprimet e denoncuara nuk do të mbetet vetëm te personat që ushtrojnë dhunë apo japin urdhra, por, sipas tij, do të rëndojë moralisht edhe mbi ata që heshtin përballë saj.

Reagimin e tij, Robert Aliaj e mbyll me thirrjen: “POSHTË DIKTATURA”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb