Një ushtar ukrainas 49-vjeçar ka mbijetuar për 491 ditë në një nga zonat më të rrezikshme të frontit, përpara se të evakuohej me një dron të modifikuar posaçërisht. Kostyantyn Vlasenko, pjesëtar i Brigadës së 30-të të Mekanizuar, rrëfeu se gjatë kësaj periudhe u detyrua të amputonte vetë një pjesë të këmbës për të mbetur gjallë.

Sipas Daily Mail, e cila përcjell dëshminë e tij për gazetarin ukrainas Yuri Butusov, Vlasenko u vendos në një pozicion të përparmë në rajonin e Kharkivit më 2 qershor 2025. Ai dhe një bashkëluftëtar strehoheshin në një tub kullimi prej betoni, ndërsa prania e vazhdueshme e dronëve rusë pengonte zëvendësimin e tyre. Pasi strehimi u përmbyt, dy ushtarët u zhvendosën në një shkollë të braktisur, ku u përballën me sulme të tjera. Bashkëluftëtari i tij humbi jetën, ndërsa Vlasenko mbeti i plagosur në të dyja këmbët.

Për muaj me radhë, ai mbijetoi mes rrënojave, duke përdorur si strehë një sobë të vjetër prej gize. Ushqimet, uji dhe ilaçet i mbërrinin me dronë ukrainas, ndërsa përmes radios vijonte t’u raportonte eprorëve lëvizjet e forcave ruse.

Sipas rrëfimit të tij, plagët dhe ngrirja i shkaktuan dëmtime të rënda në këmbë. Përkeqësimi i gjendjes e detyroi të amputonte vetë një pjesë të njërës prej tyre. Mendimi për vajzën dhe komunikimet me shokët e ushtrisë e ndihmuan të përballonte izolimin.

Shpëtimi erdhi përmes një operacioni me një dron të rëndë të kompanisë ukrainase Gurzuf Defense. Pasi mori një telefon me video udhëzuese, Vlasenko arriti të fiksohej në mekanizmin e transportit. Sipas raportimit, droni e transportoi për rreth 18 kilometra drejt sigurisë.

Njësitë ukrainase të përfshira e kanë përshkruar operacionin si evakuimin e parë ajror me dron të një ushtari të plagosur drejtpërdrejt nga një pozicion aktiv luftimi.

Vlasenko ndodhet tashmë në spital, ku po merr trajtim. “Nuk kam fjalë. Një mrekulli. Është vërtet një mrekulli”, tha ai, duke falënderuar të gjithë ata që e furnizuan dhe organizuan shpëtimin e tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb