Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po përgatitej të ndërmerrte sulme të reja kundër Iranit në fillim të tetorit, por presidenti amerikan Donald Trump kundërshtoi rifillimin e armiqësive përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA, sipas Financial Times. Tre burime në dijeni të çështjes i thanë gazetës britanike se ushtria izraelite ishte gati të sulmonte gjatë fundjavës së 10 tetorit. Në listën e objektivave përfshiheshin instalime bërthamore iraniane, objekte të regjimit dhe infrastrukturë civile, përfshirë termocentrale.

Sipas burimeve, operacioni i planifikuar do të ishte më intensiv se sulmet e ndërmarra nga SHBA-ja dhe Izraeli në shkurt. Megjithatë, Trump nuk dëshironte një rikthim të përplasjeve ushtarake përpara zgjedhjeve amerikane të 3 nëntorit.

Mbetet e paqartë nëse Shtetet e Bashkuara do të merrnin pjesë drejtpërdrejt në operacion. Një prej burimeve tha se rifillimi i sulmeve në javët e ardhshme “nuk është një skenar i paarsyeshëm”, ndërsa një tjetër pohoi se Izraeli ka përgatitur një listë të re objektivash, ku përfshihet edhe infrastrukturë civile që nuk ishte goditur më parë.

Një burim tjetër sugjeroi se përgatitjet izraelite mund të kenë qenë pjesë e një taktike negociuese, duke theksuar rolin vendimtar të Trump për rifillimin e armiqësive. Pentagoni nuk komentoi mbi raportimin. Lajmi vjen pas raportimeve për një vizitë sekrete në Izrael të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili thuhet se është takuar me Netanyahun për të diskutuar kërcënimet në rajon. Më 9 tetor, Trump deklaroi se Uashingtoni nuk do ta sulmonte Iranin përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit. Ndërkohë, sipas raportimeve të cituara, autoritetet izraelite vlerësojnë se një sulm i mundshëm amerikan mund të shkaktojë një kundërpërgjigje masive iraniane me raketa ndaj Izraelit.

Televizioni izraelit Channel 12 raportoi gjithashtu se Netanyahu i kishte kërkuar Trump rifillimin e operacioneve kundër Iranit përpara zgjedhjeve izraelite të 27 tetorit dhe atyre amerikane të 3 nëntorit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb