Lufta në Ukrainë dhe pasiguria për të ardhmen po vijojnë të nxisin largimin e qytetarëve rusë nga vendi i tyre. Sipas një analize të të dhënave të Eurostat, në fund të vitit 2025, rreth 876,600 shtetas rusë zotëronin leje qëndrimi të vlefshme në vendet e Bashkimit Europian, një rritje prej rreth 105 mijë personash krahasuar me periudhën përpara nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Shifrat tregojnë një rritje prej 13.6% krahasuar me vitin 2021, kur 771,800 qytetarë rusë kishin leje qëndrimi të përkohshme ose të përhershme në BE. Gjermania kryeson listën me 218 mijë shtetas rusë, e ndjekur nga Spanja me 116,800 dhe Estonia me 78,400.
Rritja më e ndjeshme është regjistruar në vendet e Europës Jugore. Spanja ka shtuar me 44,400 numrin e shtetasve rusë me leje qëndrimi gjatë kësaj periudhe, ndërsa Franca me 13,700. Në Qipro dhe Portugali, komunitetet ruse janë zgjeruar përkatësisht me 2.5 dhe 3.5 herë.
Në të kundërt, Letonia, Estonia dhe Republika Çeke kanë regjistruar rënie të numrit të banorëve rusë, kryesisht për shkak të shtrëngimit të politikave të emigracionit dhe shqetësimeve të sigurisë.
Largimi i rusëve nuk është kufizuar vetëm në Bashkimin Europian. Serbia është kthyer në një nga destinacionet kryesore, ku komuniteti rus është rritur nga rreth 5 mijë persona përpara luftës në 61,900 në fund të vitit 2025. Ndërkohë, Kazakistani ka pranuar mbi 107 mijë emigrantë rusë, Gjeorgjia rreth 70 mijë dhe Armenia 43,500.
Turqia, e cila fillimisht priti një numër të madh rusësh pas nisjes së pushtimit, ka regjistruar më pas rënie të lejeve të qëndrimit për shkak të rregullave më të ashpra. Deri në qershor, numri i tyre kishte zbritur në 75,900, rreth gjysma e nivelit maksimal të vitit 2023.
Studiuesit kanë identifikuar të paktën katër valë emigrimi nga Rusia që prej shkurtit 2022. Vala më e fundit lidhet me shqetësimet për një mobilizim të ri ushtarak dhe frikën e qytetarëve se mund të dërgohen në luftën në Ukrainë.
“Tani të gjithë e kuptojnë se nuk kanë të ardhme në Rusi. Nuk ka asnjë imazh të së ardhmes, asnjë kuptim se çfarë do të ndodhë pas gjashtë muajsh ose një viti”, deklaroi Anastasia Burakova, avokate dhe themeluese e projektit Kovcheg, që ofron ndihmë ligjore për rusët jashtë vendit.
Sipas saj, rreziku i mobilizimit dhe rekrutimit ushtarak është kthyer në një shqetësim personal për shumë qytetarë.
Një prej të larguarve është edhe Ivani, 19 vjeç, i cili u vendos në Armeni për të shmangur rekrutimin. Dikur menaxher i një dyqani telefonash, ai tani punon në ndërtim në Jerevan.
“Atëherë isha menaxher dhe ndihesha i bllokuar. Tani nuk kam asgjë dhe ndihem i lirë”, shprehet i riu.
Sipas studimeve të pavarura, emigrantët rusë janë kryesisht të rinj me arsim të lartë, shpesh çifte nën moshën 36 vjeç. Një pjesë e konsiderueshme punojnë në teknologji, inxhinieri, media, kërkim shkencor dhe sektorë të tjerë profesionalë.
Largimi i tyre ka ndikuar edhe në ekonomitë e vendeve pritëse. Në Armeni dhe Gjeorgji, fluksi i emigrantëve dhe kapitalit rus ka kontribuar në rritjen ekonomike, ndërsa shumë prej të ardhurve kanë vijuar të punojnë në distancë ose kanë hapur bizneset e tyre.
Megjithatë, jo të gjithë kanë arritur të ndërtojnë një jetë të qëndrueshme jashtë Rusisë. Vështirësitë për të gjetur punë, problemet me dokumentet dhe mbyllja e bizneseve kanë shtyrë një pjesë të emigrantëve të kthehen.
Sipas projektit të pavarur OutRush, deri në verën e vitit 2024 jo më shumë se 8% e emigrantëve ishin kthyer në Rusi. Vlerësime të tjera japin shifra më të larta, por përmasat e sakta të kthimeve mbeten të diskutueshme.
Ndërkohë, programi zyrtar rus për rikthimin e qytetarëve regjistroi një nivel historikisht të ulët në vitin 2025, me vetëm 26,700 persona.
