Presidenti rus Vladimir Putin ka nisur një takim me të dërguarin special amerikan Steve Witkoff në Shën Petersburg, ku bisedimet pritet të përqendrohen te përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Sipas agjencive ruse të lajmeve, Putin falënderoi presidentin amerikan Donald Trump për angazhimin e tij në zgjidhjen e konfliktit dhe deklaroi se Rusia është e interesuar për rivendosjen e marrëdhënieve ekonomike me Shtetet e Bashkuara.
Witkoff, nga ana e tij, tha se ekziston një bazë për arritjen e një armëpushimi. Sipas Interfax dhe TASS, ai shprehu shpresën që presidenti rus të pranojë rifillimin e bisedimeve mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së.
Gjatë takimit në Pallatin Konstantin, Putin njoftoi edhe lirimin e shtetasit amerikan Stephen Hubbard, i cili mbahej i burgosur në Rusi. Ai tha se Hubbard ndodhej në aeroportin Pulkovo dhe do të kthehej në Shtetet e Bashkuara së bashku me të dërguarin amerikan. Witkoff e falënderoi presidentin rus për lirimin, duke e cilësuar atë një gjest vullneti të mirë. Sipas raportimeve, Trump ia kishte kërkuar Putinit lirimin e Hubbard një ditë më parë. Hubbard, një mësues amerikan në pension, u arrestua nga forcat ruse në Ukrainë më 2 prill 2022. Në vitin 2024, një gjykatë ruse e dënoi me gjashtë vjet e dhjetë muaj burg, nën akuzën se kishte luftuar si mercenar për Ukrainën.
Autoritetet ruse pretenduan se ai ishte paguar me 1 mijë dollarë në muaj për të shërbyer në një njësi të mbrojtjes territoriale në Izium. Familja dhe avokati i tij në SHBA i kanë kundërshtuar akuzat. Motra e tij, Patricia Hubbard Fox, i kishte deklaruar Reuters se ai jetonte në Ukrainë me një pension prej rreth 300 dollarësh në muaj dhe kishte pak kontakte me banorët vendas. Hubbard ishte zhvendosur në Izium në vitin 2014, pasi kishte jetuar dhe punuar për shumë vite si mësues i anglishtes në Japoni.
