Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka publikuar një dëshmi tronditëse të një vajze të re protestuese e cila rrëfen përndjekjen që i është bërë deri në ambientet rreth shtëpisë së saj nga policia.

Në video-mesazhin e publikuar në rrjetet sociale, e reja protestuese denoncon faktin që një person i veshur civil e ka pritur jashtë shtëpisë dhe pasi ajo ka dalë për në punë, ai e ka kapur nga qafa dhe i ka kërkuar identitetin dhe shpjegime se për ku ishte duke shkuar. “Janë të njëjtat fytyra që po na ndjekin përnatë dhe mua sa kam dalë nga shtëpia, ai më ka vënë duart në qafë, më ka kapur direkt këtu mbrapa: “Kush je ti, ku po shkon?. Pyetja e parë: “Si e ke emrin dhe ku po shkon?” Kur i thashë se po shkoja në klinikë dentare se aty punoj, aty pastaj më lëshoi”, tregon e reja. Shehaj thekson se të rinjtë nuk do t’i ndalin dot kërcënimet dhe frikësimi, ndërsa për kryeministrin Edi Rama ka mesazhin se me guxim, rinia shqiptare do ia dalë t’ja arrijë qëllimit për largimin e tij nga pushteti.

“Eristjanën e kanë ndjekur, e kanë pritur te dalë nga shtëpia dhe e kanë kërcënuar, por ajo është sërish këtu sonte! Edi Rama nuk e ka idenë kush janë këta të rinj, sa të guximshëm janë dhe sa të vendosur janë! Bashkë do ia dalim, deri në fund!”, thekson Shehaj. “S’ka dorëzim. Nuk dorëzohemi!”, shprehet studentja protestuese. Revolta e studentëve hyn sot në ditën e saj të nëntë, ndërsa kërkesa e të rinjve shqiptarë ka qenë një dhe e vetme që prej ditës së parë: dorëheqje e kryeministrit Edi Rama.

VIDEO-MESAZHI I AGRON SHEHAJT

Jam këtu me Eristjanën, e cila më tregoi diçka të pabesueshme.

-Janë të njëjtat fytyra që po na ndjekin përnatë dhe mua sa kam dalë nga shtëpia, ai më ka vënë duart në qafë, më ka kapur direkt këtu mbrapa: “Kush je ti, ku po shkon?”

Pyetja e parë: “Si e ke emrin dhe ku po shkon?” Kur i thashë se po shkoja në klinikë dentare se aty punoj, aty pastaj më lëshoi.

-Ai të ndaloi ndërkohë që sapo dilje nga shtëpia?
-Sa po dilja nga dera e shtëpisë, po.
-Që i bie ai të ka ndjekur praktikisht, ai po të priste.

-Po, po, sikur thjesht po më priste poshtë.

-Kanë caktuar njerëz që të presin.

-Dola pa e menduar se në fund të fundit s’është hera e parë që dal nga pallati i shtëpisë time. Dhe thjesht sikur doli dora nga hiçi.

-Është e pabesueshme ajo që po ndodh.

U kanë vendosur protestuesve njerëz nga pas. I kanë identifikuar, i kërcënojnë, i presin poshtë shtëpisë si polici kriminale. Duket sikur po veprojnë tamam si në një autokraci. Është çmenduri. Por nuk kanë për t’ia dalë. Se ja ku jemi prapë sot këtu, nuk ndalen të rinjtë. Nuk ndalet rinia. Ky autokrat, ky i korruptuar, duhet të largohet sa më shpejt. Do vazhdojmë apo do dorëzohemi, çfarë do bëjmë?

S’ka dorëzim.
S’ka shans.
Nuk dorëzohemi!
Protesta vazhdon!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: