Presidenti francez Emmanuel Macron ka kritikuar liderë të huaj, duke i akuzuar se po shfrytëzojnë trazirat e fundit në Francë për qëllime politike dhe elektorale.

Gjatë një konference për shtyp në Doha, Macron iu referua, pa i përmendur drejtpërdrejt me emra, presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

Sipas raportimit të Le Figaro, kreu i shtetit francez denoncoi atë që e cilësoi si manipulim të informacionit nga jashtë, pas incidenteve të dhunshme që ndodhën gjatë fundjavës në Francë. Ai shprehu pakënaqësinë për komentet e disa liderëve të huaj lidhur me situatën, duke i konsideruar ato të papranueshme.

“Pati manipulim të informacionit nga jashtë, gjë që çoi në komente të papranueshme dhe budallallëqe nga shumë njerëz, përfshirë liderë të huaj”, deklaroi Macron.

Presidenti francez argumentoi se disa politikanë po i përdorin ngjarjet në Francë në funksion të agjendave të tyre politike, veçanërisht në një periudhë të karakterizuar nga fushata dhe debate parazgjedhore, si në rajonin e Lindjes së Mesme, ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara.

“Ka njerëz që po bëjnë fushatë pas shpinës së Francës, udhëheqës që janë në një periudhë parazgjedhore në rajon ose në anën tjetër të Atlantikut”, u shpreh ai.

Macron paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e përhapjes së informacioneve të manipuluara, duke përfshirë përmbajtje të krijuara me inteligjencë artificiale ose materiale që shpërndahen për të ndikuar në perceptimin publik.

Sipas tij, disa liderë dhe aktorë politikë po u besojnë pa verifikim materialeve të tilla ose po i përhapin ato, duke kontribuar në krijimin e një narrative që, sipas presidentit francez, synon të ndikojë në mënyrën se si bota e sheh situatën në Francë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb