4 gola për 1 pikë. Bayer Munich dhe Arsenal ndahen në paqe në një 90-minutësh fantastik, me dy ekipet që prodhuan një futboll të bukur. Arteta humbi që në minutën e 10-të shërbimet e Saka, por zëvendësuesi i tij, Eze, hapi siparin e golave në minutën e 25-të, me një goditje të bukur brenda në zonë. Bayern iu përgjigj pas 10 minutash, ku Harry Kane shërbeu një assist fantastik për Alphonso David, me këtë të fundit që nuk shpërdoroi duke barazuar shifrat në 1-1.
Në fraksionin e dytë, Harry Kane rrëmbeu edhe një herë stafetën, ku në minutën e 61-të fitoi një penallti dhe po vetë nga pika e bardhë e penalltisë u tregua i saktë duke kaluar Bayern në avantazh. Nuk ishte e thënë që Bayern të dilte me pikë të plota nga kjo transfertë pasi në minutën e 82-të, thuajse në të njëjtën formë, Arsenal goditi sërish, këtë herë me Rice, me kapitenin që sigloi shifrat përfundimtare në 2-2. Pas xhiros së tretë të Fazës së Ligës, Arsenal e sheh veten në kuotën e 7-të pikë, ndërsa Bayern ngec sërish në një tjetër “X”, 3 ndeshje 5 pikë.
Pika e marrë përballë Arsenal i rri ngushtë trajnerit Kompany: “Është një periudhë e ngjeshur, me shumë ndeshje. Kishim përballë një rival të fortë. Për të qenë i sinqertë nuk mendoja se do të krijonim kaq shumë raste të pastra për gol. Kisha ndjesinë se duhet ta fitonim këtë ndeshje, është zhgënjyese të pësosh gol në fund”, u shpreh Kompany.
I kënaqur me pikën e marrë u shfaq trajneri Arteta: “Ishte një ndeshje e jashtëzakonshme për t’u parë, por e vështirë për t’u përballuar. Ishin dy skuadra me një diferencë shumë të vogël që i pëlqen të jenë dominuese. Jam me të vërtetë i impresionuar nga mentaliteti dhe cilësia që shfaqëm, për më të tepër në këtë stadium”, u shpreh Arteta.
